Fitore e thellë e opozitës, PDK-ja pas 12 vjetësh del në opozitë e Nisma s’e kalon pragun

07 October 2019 19:04

Lëvizja Vetëvendosje ka pritur mesnatën për festën e saj në kryeqytet, pasi që rezultatet e KQZ-së e nxorën atë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Në Sheshin Skënderbeu, kjo parti festoi fitoren për herë të parë në zgjedhje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se me këtë fitore hapet një kapitull i ri për vendin, raporton KTV.

Kurti ftoi për bashkëpunim LDK-në dhe kandidaten e saj për kryeministre Vjosa Osmani, për ta formuar qeverinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në bazë të rezultateve të KQZ-së, renditet e dyta.

Kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të dielën mbrëma se do të presin deri në numërimin e votës së fundit për t’u përcaktuar fituesi.

PDK-ja, që ka qenë në pushtet 12 vjet, e pranoi humbjen. Kreu i saj, Kadri Veseli, tha se do të jenë në opozitë.

Me numërimin e më shumë se 98 për qind të votave nga KQZ-ja, Vetëvendosje ka marrë më shumë se 200 mijë vota, LDK-ja më shumë se 195 mijë, PDK-ja më shumë se 166 mijë, koalicioni AAK-PSD më shumë se 90 mijë vota.

Ndërkaq, në bazë të këtyre rezultateve, Nisma Socialdemokrate, në koalicion me AKR-në e Pacollit, nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme