Haradinaj e pranon humbjen, por nuk do koalicion me VV-në, e quan Kurtin mashtrues

08 October 2019 19:15

Partia e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kreu i AAK-së ka thënë se do të jenë në opozitë dhe se nuk do të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen, raporton KTV.

Haradinaj e ka quajtur sërish mashtrues kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Ju e dini, nuk po dojmë me prishë vendimin e sovranit, sovrani ka vendosë kujt me i jep besim, ndërsa e dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes. Për fat të keq, mendoj se nuk është ajo që është premtu. Ekziston mundësia e mashtrimit dhe e zhgënjimit të qytetarëve pikërisht me fituesin, por kjo i mbetet të ardhmes. Shpresoj që unë jam gabim”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje e konsideron partner të koalicionit LDK-në.

Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa, e pret numërimin e votës së fundit, në mënyrë që, pastaj, të flasë për koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.

Ndërkaq, duke folur për rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Haradinaj beson se me votat me kusht dhe të diasporës, koalicioni AAK-PSD do të marrë rreth 100 mijë vota.

Haradinaj ka shtuar se AAK-ja nuk do të kërkojë rinumërim të votave, siç kanë kërkuar PDK-ja, LDK-ja dhe Nisma Socialdemokrate.

Haradinaj e ka bërë fajtore PDK-në për përkrahje të idesë për ndarje të Kosovës, por ka thënë se për çështjet për të cilat kanë qëndrime të njëjta do të bashkëpunojë edhe me Kadri Veselin në opozitë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme