Për çka janë marrë vesh e për çka ende jo LDK-ja dhe LVV-ja

08 November 2019 19:54

Dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e fundit, po synojnë që asnjë temë në 4 vitet e ardhshme të mos i zërë në befasi, përfshirë këtu edhe fundin e mandatit të presidentit Hashim Thaçi dhe kandidatin që do ta pasojë atë.

Përderisa në kuadër të 6 takimeve të grupeve punuese të Vetëvendosjes e LDK-së, çështja e presidentit nuk ka qenë temë, kjo çështje do të diskutohet në nivel më të lartë dhe këtë e ka pohuar edhe vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Por, sipas Mustafës, nuk do të diskutohet për emrin e kandidatit, raporton KTV.

Në fuqi, i pari i LDK-së tha se mbetet zotimi që partisë së parë me vota t’i takojë edhe kryeministri, derisa i pyetur për dialogun, Mustafa tha se do t’i mbetet qeverisë si temë, por u shpreh pro idesë së reciprocitetit.

Në mbledhjen e kryesisë së LDK-së, Mustafa tha të jenë informuar mbi rrjedhën e dialogut me Vetëvendosjen dhe tha të kenë arritur pajtim në shumë fusha, por edhe në mënyrën se si do të funksionojë qeveria.

Çështjet për të cilat nuk ka pajtim, sipas Mustafës, janë ekonomike, derisa ka përmendur edhe fondin e privatizimit si një prej tyre.

Megjithatë, KTV-ja merr vesh nga burime të afërta me takimet e partive se gjithashtu ka çështje nga fusha e drejtësisë dhe ajo e çështjeve sociale për të cilat partitë ende kanë mospajtime.

Këto paqartësi mes LDK-së e VV-së, do të tentohet të sqarohen në fillim të javës, për t’i hapur pastaj rrugë takimit të liderëve dhe çështjeve sikur janë ndarja e ministrive dhe emrat që do t’i udhëheqin ato e krejt në fund nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme