Masat e shtabit emergjent në kryeqendër kundër koronavirusit

20 March 2020 23:39

Kryeqyteti ka vazhduar mobilizimin kundër virusit korona.

Të enjten kryetari Shpend Ahmeti ka nënshkruar vendimin përmes së cilit ngrihet shkalla e gatishmërisë emergjente në nivel komune.

Kështu mobilizohet struktura e sistemit të mbrojtjes, shpëtimit, prokurimit, ndihmës dhe shërbimeve të tjera emergjente, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Të gjitha këto do të koordinojnë, planifikojnë dhe zbatojnë masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Po ashtu, nga e hëna i është vënë punës edhe Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatës.

Zyrtarë të shëndetësisë, Inspektoratit, shërbimeve publike, Qendrës Urgjente dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë pjesë e këtij shtabi.

Aktiv është edhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi me anëtarë nga Policia e Ushtria, të cilët kujdesen për të parandaluar rritjen e kriminalitetit në këtë gjendje krize.

Megjithatë, masat nuk po respektohen plotësisht nga qytetarët.

Një javë pas mbylljes së qendrave të të moshuarve, Komuna ka nisur t’i përdorë dy nga to, por vetëm për t’ua dhënë ushqimin me vete qytetarëve në nevojë.

Shujtat e nxehta do të shpërndahen çdo ditë nga ora 12:00 në “Tophane” dhe “Aktash”.

Komuna ka reduktuar stafin në vendet e punës, pasi për shkak të rrezikut nga përhapja e virusit COVID 19 ka rënë edhe fluksi i qytetarëve që kërkojnë shërbime.

Me qëllim të zvogëlimit të lëvizjeve dhe ekspozimit të panevojshëm të pacientëve që vuajnë nga diabeti, nga e enjtja në Barnatoren Kryesore të QKMF-së do të jetë prezent mjeku kujdestar për të përshkruar recetat për insulinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme