Ish-kreyeparlamentari Veseli deklarohet i pafajshëm në Gjykatën Speciale
Pa debat ka përfunduar paraqitja e parë e ish-kryekuvendarit të Kosovës, Kadri Veseli, para gjyqtarit të Procedurës Paraprake.
Veseli nuk ka pranuar akuzat të cilat i vihen në barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, raporton KOHA.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat. Më lejoni të deklarohem se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë Veseli.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë lexuar dhjetë pikat e aktakuzës, me të cilat ngarkohet Veseli.
Për dallim nga seanca e parë e ish-presidentit Hashim Thaçi, ku është argumentuar mes avokatit të tij dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokati që e përfaqëson Veselin, Ben Emmerson, ka qenë më i shkurtër.
E ka lexuar deklaratën publike të Veselit para së të nisej për në Hagë, por ka pasur ankesë për faktin që në seancë është thënë se Veseli është arrestuar.
“Dua të kujtojë që z.Veseli duhet të prezumohet i pafajshëm për të gjitha akuzat kur të vazhdojë çështja dhe zoti Veseli të lirohet deri në fillim të procesit. Fakti që është përmendur që Veseli është arrestuar duhet të dini që z.Veseli ka ardhur vullnetarisht sipas marrëveshjes me Prokurorinë”, ka deklaruar avokati i Veselit, Ben Emmerson.
Megjithatë Gjykata Speciale, në të gjitha komunikatat ka përmendur termin arrestim për katër anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Gjyqtari i Procedurë paraprake, Nicolas Giju, ka përkujtuar Veselin se mund të bëjë parashtresë për të kundërshtuar paraburgimin.
Një gjë e tillë parashihet tek rregulli 57 i Rregullores për Procedura dhe Prova. Ky nen parasheh që vendimi për mbajtjen në paraburgim të rishikohet çdo dy muaj.
“Pas caktimit të gjykatësit të procedurës paraprake, sipas nenit 33 (1)(a) të Ligjit, dhe derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, trupi gjykues i angazhuar me çështjen vlerëson vendimin mbi mbajtjen në paraburgim, pasi të kenë kaluar dy (2) muaj nga vendimi i fundit në lidhje me paraburgimin, në përputhje me nenin 41 (10), (11) dhe (12) të Ligjit”, thuhet në Rregulloren për Procedura dhe Prova.
Ndër arsyet që duhet të përmbushen sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, është prezenca e të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Por ndër kryesorët janë rreziku nga arratisja, rreziku që i akuzuari të asgjësojë ose fshehë prova, ose rreziku nga përsëritja e veprave penale.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi janë pjesë e një aktakuze të përbashkët. Ata ngarkohen për 10 vepra penale që lidhen me krime të luftës, të cilat prokuroria pretendon që i kanë kryer në periudhën mars 1998 deri në shtator 1999.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.