Mbrojtja e Selimit thotë së lirimi i tij nga paraburgimi nuk ndikon në hetime
Rreth një orë ka zgjatur paraqitja e parë e ish-inspektorit të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Ndonëse seanca ishte tërësisht teknike, gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nikolas Giju, ia ka dhënë Selimit mundësinë që të deklarohet për procesin gjyqësor ndaj tij.
"E pashë aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë. Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë. E pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje, por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim dhe shtetit prej nga vij unë", ka thënë Selimi.
Në fjalën e tij Selimi ka përmendur raportin e Dick Martit, si raport iniciues për themelimin e hallkave të institucioneve hetuese për krime lufte.
“Dua të theksoj se unë si deputet e pata kundërshtuar themelimin jo si shprehje kundër drejtësisë, por përkundrazi, donim që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës në Kosovë. Më lejoni t’ju kujtoj se themelimi i gjykatës ishte në favor të Kosovës. Vetëm pak muaj pas këtij vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, raporti i Dick Martyt nxori raport ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj që nuk duhej të ngrihej një gjykatë mbi synimet e hapura kundër Kosovës. Sidoqoftë ja ku jemi, kjo gjykatë është një fakt”, ka deklaruar Selimi.
Sipas Selimit, në fund të këtij procesi do të binden të gjithë se as ai e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kanë të bëjnë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç cilësohen “padrejtësisht në këtë aktakuzë".
"Unë jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jashari dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark, me NATO-n", ka deklaruar Selimi.
Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Sekretari i Gjykatës lexoi dhjetë pikat e aktakuzës dhe tha se ekziston dyshimi i bazuar se Selimi mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre krimeve.
Selimi nuk ka pranuar asnjërën prej pikave të aktakuzës.
Avokati Robert Kaarls, që ka përfaqësuar Selimin në këtë paraqitje, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm, duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes.
"Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më herët. Javën që kaloi ai u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u dorëzua vetë. Këto janë indikacione se nuk ka rrezik të arratisjes. Nuk ka asnjë indikacion që do të ndikojë te dëshmitarët ose do të asgjësojë provat", ka deklaruar Kaarls.
Avokati i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk qe i pranishëm në këtë paraqitje.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, propozoi që më 18 nëntor të mbahet konferencë statusore, por pala mbrojtëse argumentoi që ajo të mbahet sa më vonë gjatë këtij muaji, pasi siç tha avokati Kaarls, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur kohë të përgatitet, ndërkaq mbrojtja jo.
Në aktakuzën e konfirmuar kundër Selimit thuhet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në të gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë.
Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive të tjera”.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në "kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve".
Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc dhe 36 lokacione të tjera.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.