Mosmiratimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike, masat e fundit të qeverisë, mungesa e vizitave nga diaspora janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në rënie të ekonomisë së vendit.
Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili tha se kjo rënie do të jetë për 7.2 për qind.
Derisa, sipas tij, ka pasur edhe rënie të konsumit e që reflektohet, sipas tij, edhe në rënie të importeve prej 9.9 për qind.
“Ekonomia do të shënojë rënie 7.2%. Shkaktarë për këtë janë masat e ndërmarra për parandalimin e pandemisë që ndikuan negativisht në nivelin e investimeve. Një prej faktorëve që ka ndikuar në uljen e kërkesave agrare është rënia e vizitave nga diaspora”, ka thënë guvernatori Mehmeti, raporton KOHA.
Sipas tij, ka pasur rënie prej 5 për qind të lëshimit të kredive, ndërkohë që Bankat Komerciale gjatë kësaj kohe kanë shënuar fitim prej 58 milionë eurosh.
Për rënien ekonomike gjatë ditës ka reaguar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka kritikuar masat e reja të vendosura nga Qeveria, si dhe mosvotimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Ahmeti zgjodhi Facebookun për të reaguar gjatë së enjtes edhe për mbylljen e bizneseve të gastronomisë dhe kufizimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët.
Kuvendi i Kosovës edhe përkundër disa tentimeve nuk ka arritur të miratojë ligjin për rimëkëmbje ekonomike shkaku i mungesës së kuorumit në vendimmarrje.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.