Kosova vazhdon edhe më tutje të përballet me numër të lartë të të vdekurve e të të infektuarve nga COVID-19.
Brenda 24 orëve, 13 persona të infektuar kanë vdekur duke e çuar totalin në 939.
Nga 1 mijë e 590 mostra të testuara, 609 kanë rezultuar pozitive, ndërsa numri në total i të infektuarve ka mbërritur në 35 mijë e 500, raporton KOHA.
Këto shifra të larta të të infektuarve ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i ka quajtur alarmante, derisa ka thënë se do të rishikohen masat anti-Covid në fund të javës. “Vlerësimi i rasteve bëhet në baza ditore, vlerësimin e kemi me orientim profesional, në bazë të atyre vlerësimeve do të shohim dhe vlerësimin te mëtutjeshëm”, ka thënë Zemaj.
Ndonëse që nga muaji qershor, institucionet shëndetësore në Kosovë kanë premtuar fillimin e testimit me metodën PCR nëpër komuna të tjera, kjo ende nuk ka ndodhur.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë së martës ka vizituar Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, ku vazhdimisht punëtorët e këtij institucioni kanë kërkuar që sa më shpejt t’u sillet aparatura që u mundëson testimin PCR.
Aparaturat e nevojshme, sipas Zemajt, janë siguruar, por nuk është dhënë një datë se kur do të fillohet me testime.
“Shumë shpejt pajisja PCR do të jetë në qendrën rajonale, të gjitha përgatitjet këtu janë bërë”, ka thënë Zemaj.
Ndërsa mikrobiologia Ajhane Sefiu, drejtoreshë e IKSHPK-së në Gjilan, ka thënë se pajisja me PCR do t’u mundësonte që t’i punojnë mostrat e marra në QKMF.
Burbuqe Shkodra, epidemiologe ka thënë se testimi në këtë qendër shkon deri në 120 raste në ditë dhe se e shfrytëzojnë kapacitetin në maksimum.
Përveç Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, tash e një kohë Komuna e Prizrenit e ajo e Pejës janë të përgatitura për të filluar me testimin PCR në qendrat e tyre dhe janë në pritje të aparaturave nga Ministria e Shëndetësisë. Zyrtarët shëndetësorë në këto komuna kanë thënë se në muajin dhjetor mund të startojnë me testime. Zemaj gjatë së martës është takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ka qëndruar edhe në Spitalin e Përgjithshëm, ku edhe është informuar për gjendjen me pandeminë në këtë komunë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.