Para tre vjetësh, ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni, fatin e tij politik e pati lidhur me ditën se kur do të përfundojnë në burg dy ish-drejtuesit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
“Z.Veseli, z.Thaçi, ju jeni arsyeja që më bëni të qëndroj në këtë parlament. Për të gjitha ato qe keni bërë po më detyroni të qëndroj derisa t’ju shoh prapa grilave”, pati deklaruar Çuni në maj të vitit 2017, raporton KOHA.
Disa javë pas arrestimit të Thaçit e Veselit, për akuza për krime lufte nga Haga, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nga Kuvendi i ka kërkuar ministrit Çuni llogari për deklarimin e atëhershëm.
“Në mandatin e kaluar në këtë Kuvend ju u patët deklaruar se do të jepni dorëheqje nga politika në momentin që do t’i qoni në burg, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, tani kur ata janë në burg, unë kisha dashtë të di kur do të jepni dorëheqje pasi është përmbushur misioni juaj politik”, ka pyetur Musliu.
Çuni do të presë vendimin e Gjykatës për ish-eprorët e UÇK-së, për të parë nëse do ta realizojë premtimin.
“Sa i përket deklaratës sime që pasi t’i shoh prapa grilave të apostrofuarit, presim epilogun, pastaj do të marrë vendim edhe unë”, ka thënë Çuni.
Në seancën e mbajtur të hënën është diskutuar edhe për qasjen e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj për të pagjeturit.
Kryeministri Hoti ka mbrojtur zëvendësin e tij.
“Driton Selmanaj, është e papranueshme se si po silleni ndaj tij, është e pa pranueshme se si i është ndërruar konteksti. Në detaje i kemi informu komsionin për çështjen e të pagjeturve. Është kriju një momentum i ri për këtë çështje. Për shkak të ndjeshmërisë kam kërku seancë të mbyllur, organizojeni një këtu e jo interpelancë. Mos përdorni informata të mediave që me kriju kauza të paqena politike”, ka pohuar Hoti.
Qasja e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj për të pagjeturit para dy javësh nxiti reagime të shumta. Ai pati thënë se është i lodhur me qasjen e përdorimit të personave të zhdukur për një grusht votash, kur ishte duke u diskutuar për çështjen e të pagjeturve nga deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.