500 mijë doza të vaksinës anti- COVID nga kompania “Pfizer” do të jenë të dispozicion për qytetarët e Kosovës. Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë të martës.
Ministri nuk ka treguar se kur pritet të vijnë ato në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave ua kanë dhënë përfaqësuesit e “Pfizer”-it gjatë një takimi virtual.
“Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre. Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covid-19”, ka shkruar Zemaj.
Zemaj ka treguar se Kosova do të marrë nga mekanizimi “Covax” edhe 360 mijë vaksina të tjera falas për 20 për qind të popullatës. Ditë më parë kishte thënë se vaksinat anti-COVID do të vijnë gjatë shkurtit, por në një deklarim në transmetuesin publik s’kishte treguar se për çfarë vaksinash bëhej fjalë.
Në pjesën veriore të Kosovës tash e disa javë ka filluar vaksinimi i qytetarëve serbë, pasi që Qeveria e Serbisë ndau disa doza të vaksinës.
Gjatë 24 orëve të fundit edhe 4 persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur. E nga 1 mijë e 282 mostra të testuara, 199 persona kanë rezultuar pozitivë.
Deri tani totali i rasteve ka shkuar në mbi 52 mijë e 300, prej të cilëve mbi 43 mijë e 300 kanë arritur të shërohen, e 1 mijë e 355 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë ditës ka sqaruar edhe rastin e 19-vjeçares nga Mitrovica, e cila të hënën vdiq e që u përfshi në listën e vdekjeve nga COVID-19.
IKSHPK-ja ka thënë se pacientja N.Sh. dy herë kishte rezultuar pozitive në testin për COVID-19, duke shtuar se mostrat e pacientes janë testuar sipas protokolleve të punës dhe se IKSHPK-ja nuk është institucion për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.