Rrugët e fshatit Rracaj të Komunës së Gjakovës janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të mëdha.
Mirëpo, kjo për banorët nuk është shumë e çuditshme, sepse sa herë ka reshjet të tilla, ndodh e njëjta gjë.
Sipas Besim Beqajt, banor i fshatit, deri në orën e pasdites nuk ka intervenuar askush.
Përpos këtij fshati edhe në pjesë të tjera të Gjakovës janë shkaktuar vërshime.
Edhe lagjja “Mit’hat Frashëri” është tërësisht e mbuluar nga uji.
Bora e shiu që kanë rënë pandërprerë për pothuajse 24 orë kanë bllokuar edhe shumë rrugë të tjera kryesore në Gjakovë, që më pas ka intervenuar edhe KMR “Çabrati”.
Ndërkohë, që pasdite drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Vehat Hoxhaj, ka njoftuar se janë të kalueshme.
E kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se problemi qëndron tek rrjeti i kanalizimeve.
“Edhe në disa fshatra ka probleme me kanalizime. Në Rugovë ka probleme, tek lumi Krena kemi probleme, sepse edhe aty kemi përzierje të ujërave të shiut me ato fekale. Këto dëme Komuna i sanon dhe do t’u ndihmojë qytetarëve. Kemi pasur 25 thirrje deri para një ore”, ka thënë ai.
Situata problematike është paraqitur edhe në komunën e Suharekës.
Përveç në Gjakovë e Suharekë , vërshime e dëme janë raportuar edhe në Malishevë, Rahovec e Drenas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.