Këtë të hënë mostrat nga Kosova për detektimin e variantit të ri të koronavirusit pritet të dërgohen në Evropë.
Sipas zyrtarëve të IKSHPK-së, përfaqësues të një zyre ndërlidhëse do t’i marrin këto mostra. Tutje ata kanë thënë se kanë qenë duke e pritur këtë zyrë, pasi që kanë kontratë me programin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Të hënën e ka caktuar World Courier për të ardhur me i marrë mostrat. Ne kemi qenë në pritje për ketë pasi që World Courier ka kontratë me programin e OBSh-së për dërgimin e mostrave të Covidit”, ka thënë Xhevat Jakupi nga IKSHPK-ja.
Kosova ende nuk ka aparatura që do të mund të konfirmonin variantin e ri të virusit, derisa më herët është thënë se aparaturat pritet të sillen së shpejti në IKSHPK.
E shkaku i rrezikut të përhapjes së këtij varianti shumë vende kanë vendosur masa rigoroze, duke shkuar edhe në izolim total. Por institucionet e Kosovës kanë vazhduar me lehtësimin e masave, duke lejuar edhe grumbullimet deri në 50 persona në vende publike.
Megjithatë, jo të gjitha masat po pëlqehen nga gastronomët, pasi që ata kanë paralajmëruar protestë, shkaku që në zonat e kuqe nuk lejohen të punojnë pas orës 21:00.
“Ne e kemi kërkuar dhe shoqata e Gastronomisë zgjatjen e orarit deri në ora 23:00, por nuk i kanë marrë parasysh kërkesat tona dhe po bëjnë ‘hajgare’. Neve na ka dëmtuar shumë. Sepse gjatë ditës po ndodhin grumbullime ndërsa në ora nëntë ka virus”, ka deklaruar Erkan Dogani, pronar biznesi.
Në anën tjetër, Kosova ende nuk e ka ndonjë datë se kur pritet ta nisë vaksinimin kundër COVID-it, por që të premten kanë arritur frigoriferët që mundësojnë ruajtjen e vaksinës deri në -80 gradë. Institucionet kanë vazhduar praktikën e mosdhënies së detajeve rreth vaksinimit, duke treguar vetëm se kanë hartuar strategjinë e imunizimit.
E gjatë 24 orëve të fundit 6 persona të tjerë iu shtuan listës së të vdekurve nga COVID-19, duke e çuar totalin në 1 mijë e 405. Derisa nga 1 mijë e 589 mostra të testuara, 363 persona kanë rezultuar pozitivë.
Numri total i rasteve pozitive ka shkuar në mbi 55 mijë e 400, prej të cilëve mbi 48 mijë e 900 kanë arritur të shërohen.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.