Prishtinë, 21 janar - Me homazhe te varri, udhëheqësit e shumicës së partive të mëdha e kanë përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në pesëmbëdhjetë-vjetorin e vdekjes së tij. Në përvjetorin, i cili rastisi pak para fushatës zyrtare zgjedhore, liderët partiakë lartësuan figurën dhe punën e kryetarit të parë të LDK-së.
Por, sërish është ringjallur debati rreth trashëgimisë politike të Rugovës. Bashkëpunëtorja e dikurshme e Rugovës në LDK, Vjosa Osmani, tha se vepra e tij është udhërrëfyes për të.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për të në këtë përvjetor të vdekjes, por natyrisht që themelet që ai ndërtoi, rruga që ai ndërtoi përgjithmonë do të mbesin udhërrëfyes për ne”, ka deklaruar Osmani.
E, fjalët e mira për Rugovën nuk i kurseu as kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Erdhëm që të vendosim një kurore me lule të freskëta te varri i dr. Ibrahim Rugovës, duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij institucional dhe qetësinë e durimin e tij njerëzor”, është shprehur Kurti.
Kurse, kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, tha se rrugën e Rugovës nuk mund ta ndjekin ata që janë jashtë partisë së tij.
“Askush nuk mund ta trashëgojë këtë rrugë përpos Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe atyre që qëndrojnë, punojnë e veprojnë që vepra, ideja dhe kontributi i presidentit Rugova të bëhen vepër e përhershme në Kosovë dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Mirënjohës për kontributin e Rugovës është shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“E vërteta është se Kosova është mirënjohëse, shqiptarët dhe të gjithë ne jemi mirënjohës për kontributin historik për liri dhe pavarësi të Kosovës. Do të jetë i përjetshëm kujtimi për të dhe respekti”, ka thënë Haradinaj.
Por, i pakënaqur me rrugën që ndjek LDK-ja e sotme është i afërmi i Rugovës, Halit Rugova.
“Nuk është ajo LDK-ja që ka qenë e frymës rugoviane që po thirret, thirremi të gjithë në frymën rugoviane, por nuk jemi në rrugën e asaj që presidenti Rugova ka dashur”, është shprehur Halil Rugova.
Nga partitë e mëdha, vetëm PDK-ja nuk ka bërë homazhe në përvjetorin e vdekjes së presidentit të parë të vendit. Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i LDK-së. Vdiq më 21 janar të vitit 2006, ndërsa kryente funksionin e presidentit të Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.