Vendimmarrjes së Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përkitazi me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje i ka paraprirë një komunikim me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka. Por, përgjigjen që ka dhënë Daka për PZAP-në, e ku propozoi miratimin e pjesshëm të ankesës, e kanë kualifikuar si arbitrar anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ. Kjo, për shkakun se dokumenti nuk është bërë me rekomandim të Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, gjë e cila konfirmohet nëpërmjet një komunikimi mes drejtorit të Zyrës dhe anëtarëve të KQZ-së.
“Për rastet që janë miratuar nga KQZ sipas rekomandimit të Zyrës (251 dhe 255), drafti fillestar i shkresës është përgatitur nga Zyra, ndërsa për të tjerat jo”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të Zyrës, Yll Buleshkaj për anëtarin e VV-së, Alim Rama. E-maili i njëjtë i është dërguar edhe kryetares dhe anëtarëve të tjerë.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në përgjigjen ndaj PZAP-së, ka propozuar që ankesa e VV-së të aprovohet pjesërisht, duke i certifikuar vetëm kandidatët që i përmbushin kushtet ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të pacertifikuar mbetën pesë kandidatë të VV-së, përfshirë edhe pretendentin për kryeministër, Albin Kurti.
“Ne propozojmë që ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje të aprovohet pjesërisht dhe të obligohet KQZ-ja t’i certifikojë kandidatët, të cilët i përmbushin kushtet ligjore nga neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa të refuzohet sa i përket pesë kandidatëve të cilët nuk i përmbushin kushtet ligjore të këtij neni”, shkruhet në letrën e Dakës drejtuar PZAP-së.
Më tej, kryesuesja ka treguar për mbledhjen e javës së kaluar ku lista e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u certifikua në tërësi, për shkak të pesë emrave.
“KQZ-ja është e vetëdijshme se nga lista prej 110 personave nga ky subjekt politik, janë vetëm 5 persona të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore që të certifikohen si kandidatë për deputetë, por me insistimin e përfaqësuesve në KQZ të këtij subjekti politik, në votim është hedhur e gjithë lista dhe si e tillë është refuzuar të certifikohet për shkak se ajo përmbante edhe emrat e 5 personave të cilët nuk mund të ishin kandidatë për deputetë”, thuhet në shkresën e Dakës.
Ajo ka shkruar më tej se duke u bazuar në kriterin që një person të mos jetë shpallur fajtor për vepër penale në tre vjetët e fundit, “gjykata vëren se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk specifikon natyrën e veprës penale dhe sanksionit penal të shqiptuar në mënyrë që një person të diskualifikohet nga mundësia për të qenë kandidat për deputet”.
Sipas pikës ‘q’ të nenit 29 të këtij ligji, futja në lista u ndalohet të gjithë atyre që kanë një vendim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit. Por derisa nuk u publikua aktgjykimi i Kushtetueses për rastin e deputetit Etem Arifi, KQZ-ja nuk e ka zbatuar këtë pikë. Kjo, për shkak të një vendimi të Supremes, sipas të cilit gara nuk mund t’i mohohet askujt pa një dënim plotësues.
Në aktgjykimin e kushtueses nuk specifikohet natyra e veprës penale dhe sanksionit penal të shqiptuar, në mënyrë që një person të diskualifikohet nga mundësia për të qenë kandidat për deputet.
Anëtarët e VV-së e quajnë arbitrar vendimin e Dakës
Por përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi dhe Alim Rama, përmes një letre drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kanë kundërshtuar letrën që kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ia ka dërguar të hënën PZAP-së.
Sipas tyre, përgjigjet dhe arsyetimet e Dakës ishin dërguar në mënyrë arbitrare e të kundërligjshme, si dhe pa rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim.
“Këto përgjigje, si dhe arsyetimet në vendimet e lartcekura, të nënshkruara nga kryesuesja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, janë në kundërshtim me përgjegjësitë dhe funksionet e KQZ-së sipas nenit 63 dhe nenit 64.2 germa d), si dhe nenit 6 të Rregullës Zgjedhor 08/2013 të KQZ-së. Bazuar në normat e lartcekura, kryesuesja e KQZ-së nuk ka kompetenca funksionale personale për hartimin e dokumenteve në lidhje me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me certifikimin e subjekteve politike dhe listave të kandidatëve të tyre”, shkruhet në letrën e tyre.
Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-së, e ka konfirmuar pranimin e shkresës, por së cilës nuk i është dhënë përgjigje ende.
“Ju informojmë se PZAP-ja sot e ka pranuar kërkesën e anëtarëve të KQZ-se nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alim Rama, por për shkak të angazhimeve të shumta që kemi pasur nuk jemi përgjigjur në kërkesën e tyre”, ka theksuar Desku.
Në lidhje me zhvillimet brenda KQZ-së, “Koha” ka provuar të marrë një përgjigje nga zëdhënësi Valmir Elezi, por ai nuk është përgjigjur. Përkitazi me çështjen nuk ka pranuar të komentojë as drejtori i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive, Yll Buleshkaj.
Rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë dhe korrigjimet eventuale t’i bëjnë instancat e tjera, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, ka përplasur javën e kaluar anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor. Anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, kishte akuzuar drejtorin e Zyrës, Yll Buleshkaj, se ka bërë atentat ndaj demokracisë me rekomandimin që ua paraqiti anëtarëve.
Pas mbledhjes maratonike, me shumicë votash anëtarët vendosën ndryshe prej rekomandimit të Zyrës duke i votuar ndaras listat e partive.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.