4 milionë e 218 mijë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për institucione e sektorë të ndryshëm, në kuadër të shtesave për kategoritë të cilat janë duke u përballur me pandeminë.
Prej tyre 3 milionë janë ndarë për pagesën e shtesës së parë për mësimdhënësit e personelin teknik, 700 mijë për zyrtarët policorë, 180 mijë për zjarrfikësit e 260 mijë për stafin shëndetësor e punëtorët teknikë në institucionet shëndetësore.
Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se që nga marsi do të ndajnë mjete edhe për sektorët e tjerë.
“Kategoritë e tjera të sektorit publik që janë të angazhuar në menaxhimin e pandemisë dhe i janë ekspozuar rrezikut, por nuk janë pjesë e këtij vendimi, do të trajtohen me vendime të veçanta bazuar në vlerësimet profesionale të nivelit të ekspozimit të rrezikut dhe mundësive buxhetore duke filluar nga muaji mars e tutje”, ka deklaruar Bajrami.
Në mbledhjen e ekzekutivit, të parën pas mbajtjes së zgjedhjeve, janë ndarë para edhe për organizimin e “Epopesë së UÇK-së”.
“Sipas propozimit kërkohet të themelohet këshilli organizues për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë Çlirimtare të Kosovës e cila organizohet nën patronatin e kryeministrit Avdullah Hoti me datën 5,6 dhe 7 mars 2021. Për punën e këshillit organizativ ndahen mjete financiare në vlerë prej 40 mijë euro”, tha Selmanaj.
Por Ekzekutivi nuk e ka aprovuar propozimin e ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, që në kuadër të listës së organizatave terroriste të futen edhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata e Fethullah Gulenit.
“Këtu nuk përmenden organizatat terroriste që janë të njohura edhe botërisht: Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata FETO. Këto mund të dëmtojnë rëndë edhe vendin tonë Kosovën, këtë duhet ta kemi parasysh, sidomos PPK është edhe në listat e BE-së dhe SHBA-së. Patjetër që na nevojitet rritja e bashkëpunimit me Turqinë kundër këtyre organizatave”, tha Kervan.
“Politika jonë e inteligjencës dhe sigurisë koordinohet me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe është në linjë me politikën e tyre e këtë kërkesë kërkoj nga sekretariati që t’i bartet AKI-së”, tha Hoti.
Paraditen e së enjtes Ekzekutivi, ndër tjerash, ka miratuar edhe strategjinë e sigurisë, atë të mbrojtjes, si dhe atë për menaxhimin e integruar të kufirit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.