Albin Kurti synon që pa votat e Listës Serbe ta formojë qeverinë e re.
Në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve në Bullgari, ai shprehet i bindur se tashmë i ka numrat që duhen për këtë proces.
“Ne nuk shohin asnjë parti tjetër nga “garda e vjetër” apo “Ancien Régime” siç parapëlqejmë t’i quajmë, si partner të ardhshëm të qeverisë sonë. Si rrjedhojë, nëse me 50 për qind të votave, ne nuk kemi 61 deputetë të Parlamentit për shkak të 20 vendeve të rezervuara për minoritetet, ne planifikojmë të marrim deputetë të Parlamentit nga minoritetet joserbe, dhe ndoshta disa anëtarë të Parlamentit nga opozita, të cilët thjesht do të donin t’i përfaqësonin njerëzit të cilët i kanë votuar, përkundër partive të cilave u përkasin. Jam i bindur se qeveria jonë do ta ketë shumicën, pa pasur nevojë të hyjë në asnjë lloj negociatash”, ka thënë Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës.
E sa i përket dialogut me Serbinë, që Kurti edhe më herët ka deklaruar se nuk e ka në plan të parë, kësaj radhe ai ka thënë se është prioriteti numër katër pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19.
“Ne do të hapim një kapitull të ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë bazuar në dyanshmëri dhe barazi, ku të dyja palët do të shpalosim marrëveshjet paraprake të këtyre gjashtë vjetëve të dialogut në Bruksel ku Beogradi thotë se kemi 47 marrëveshje, ndërkohë që ne insistojmë që kemi vetëm 33 të tilla, disa prej të cilave do të implementohen pjesërisht, disa plotësisht, e disa nuk do të implementohen fare”, ka shtuar ai.
Kandidati për kryeministër, tutje ka shtuar se qëllim ka punën me pesë vendet anëtare të BE-së e që nuk e njohin Kosovën, në mënyrë që t’i bindë ato se nuk duhet t’i frikësohen pavarësisë së Kosovës.
Kurti, partia e të cilit doli fituese nga zgjedhjet e 14 shkurtit, thotë se synim i tij primar mbeten punësimi e drejtësia.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.