Në shenjë proteste ndaj deklaratave të bëra nga disa anëtarë, kryetarja Valdete Daka është larguar nga mbledhja e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Diskutimet lidhur me votat e komuniteteve joshumicë dhe dyshimeve për manipulime nga Lista Serbe, kryetarja e KQZ-së i konsideroi politike.
Paraprakisht, Sami Kurteshi nga Vetëvendosje, kërkoi që KQZ-ja të marrë një vendim lidhur me këtë çështje.
“Kërkoj nga KQZ-ja që ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim për anulimin e këtyre vendimeve duke u bazuar në faktet nga Enti Statistikor nga zgjedhjet e kaluara nga numri i banorëve...”, ka deklaruar Kurteshi.
Por, kryetarja e KQZ-së, tha se institucioni që ajo drejton bën vetëm organizimin e zgjedhjeve, e nuk mund të marrë vendime të tilla.
“Ne nuk jemi, as Kuvend, as Parlament, ne jemi institucion kushtetues i cili organizon zgjedhje edhe vetëm organizojmë zgjedhje, për çështje politike dhe për çështje që ne nuk kemi kompetenca, ne mund të diskutojmë gjithë ditën e gjithë natën, por nuk jemi ne adresa”, u shpreh Daka.
Largimi i Dakës nga mbledhja pasoi deklaratën e anëtarit të KQZ-së nga radhët e komuniteteve, i cili akuzoi Vjosa Osmanin e Albin Kurtin, se e kanë dëmtuar komunitetin e tij.
“Kur Vetëvendosje me Vjosa Osmanin vjen në komunën e Mamushës dhe thotë që duhet ndryshim e flet në gjuhën turke që e kanë formuar atë partinë e turqve të rejën dhe Vjosa Osmani ha pite e Albin Kurti ha pite...”, ka deklaruar Rifat Krasniqi.
Në mbledhjen e KQZ-së, ndër tjerash është miratuar edhe rekomandimi i sekretariatit për rinumërimin edhe të 58 vendvotimeve.
Sipas kryesuesit të sekretariatit, Burim Ahmetaj, me rinumërimin e këtyre vendvotimeve, numri i përgjithshëm i atyre që do të rinumërohen arrin në 564.
Në anën tjetër, deri në mesditën e së enjtes, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar me verifikimin e 34 mijë pakove të supozuara me fletëvotime nga diaspora, prej të cilave janë aprovuar 41 mijë e 280 zarfe, ndërkaq 16 mijë e 288 janë refuzuar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.