Mungesa e unitetit mes partive politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual, mund ta fusë Kosovën në krizë institucionale.
Shoqëria civile vlerëson se vendi nuk duhet ta ketë edhe një proces të ri zgjedhor, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit.
“Partitë politike në fakt duhet të qëndrojnë në Kuvend dhe të bëjnë kuorumin, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha institucionet. Vendi ynë nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje të reja. Veç ishim dhe ishim në zgjedhje paraprake vetëm një vit më para. Kosovës i duhet qëndrueshmëri, i duhen institucione stabile dhe qytetarëve i duhet në fakt që të ketë një vazhdimësi”, ka thënë Jeta Krasniqi nga KDI.
“Të gjitha partitë politike duhet të tregohen konstruktive sa i përket zgjedhjes së presidentit. Konsideroj që ky është një momentum shumë i volitshëm për të pasur një president konsesual, i cili nuk imponohet nga një subjekt politik”, ka deklaruar Albert Krasniqi nga Demokraci Plus.
Sipas Krasniqit, presidenti do të duhej të propozohej nga opozita, për shkak se kështu do të mund të balancohej pushteti.
E Jeta Krasniqi nga KDI, ka kërkuar nga partitë politike që ta bëjnë kuorumin për zgjedhjen e institucioneve dhe ecjen përpara më reformat.
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, shkaku i aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale në Hagë, tash e disa muaj kryetarja e Kuvendit të Kosovës është duke e ushtruar detyrën e presidentes.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.