Video

SHBA-ja kërkon që dialogu të nisë pa vonesa

1
 

Krahas urimeve për marrjen e detyrës, kryeministri Albin Kurti ka pranuar edhe një kërkesë nga sekretari amerikan i Shtetit. Në letrën e cila mban datën 7 prill, Antony Blinken i ka kërkuar Kurtit që të mos ketë vonesa në nisjen e dialogut me Serbinë. Derisa nga Qeveria e BE-ja nuk kanë treguar se kur pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të bisedimeve mes dy shteteve, njohësit e këtij procesi thonë se duhet të qartësohen parimet dhe platforma e vendit në këtë drejtim.

Angazhim pa vonesa në dialogun me Serbinë i ka kërkuar Kosovës sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Në letrën e urimit të Blinkenit, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, njëkohësisht shkruhet se nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, që do të ishte rezultat i këtij dialogu, duhet të arrihet njohja reciproke në mes të dy shteteve.

“Kosova gjithashtu duhet të angazhohet në mënyrë produktive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja e të mbështetur nga SHBA-ja. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e normalizimit me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë, është thelbësore për arritjen e potencialit të plotë të Kosovës dhe rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet ndër tjerash në urimin e pranuar nga Kurti, që e mban datën 7 prill.