Video

Kurti: Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e duan NATO-n

1
 

Iniciativën e Mini-Shengenit e ka kundërshtuar ashpër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Prespës, i cili bëri bashkë liderët e rajonit. Derisa udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut bënin thirrje për rritje të bashkëpunimit rajonal e angazhim për jetësimin e Mini-Shengenit, Kurti tha se kjo iniciativë nuk ka vizion për rajonin. Duke iu referuar Serbisë, Kurti tha që nuk duhet të lejohet që pakënaqësia ndaj BE-së të instrumentalizohet nga vendet të cilat nuk e duan NATO-n, apo e mbështesin Federatën e Rusisë

Me akuza të shumta ndaj Bashkimit Evropian e kundërshtime mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e liderëve të rajonit është karakterizuar konferenca ndërkombëtare “Forumi i Prespës për Dialog”, i mbajtur në Ohër këtë të premte.

Derisa kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë renditën kritika ndaj politikës së Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes iniciativës së Mini-Shengenit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që të mos nguten me vendime të tilla. E pikërisht kjo iniciativë mori vëmendjen kryesore në diskutimin e bërë mes liderëve të rajonit, ndonëse tema e diskutimit lidhej kryesisht me bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Amerikës e integrimin transatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.