Video

Sveçla: Me largimin e barrikadave, prezenca e Njësisë Speciale është e panevojshme

1
 

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë konfirmuar se propozimi i KFOR-it për zhbllokimin e situatës në veri është pranuar nga ana e tyre. Mes tjerash, ai parasheh zëvendësimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës me pjesëtarët e KFOR-it në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak. Por, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, propozimi është refuzuar nga pala serbe

Është konfirmuar raportimi i KOHËS për propozimin e komandantit të KFOR-it, Franco Federici, në funksion të zhbllokimit të situatës në Jarinjë e Bërnjak. Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se pala kosovare pranoi ofertën e KFOR-it për zëvendësim të Njësisë Speciale me ushtarë të KFOR-it, krahas heqjes së pengesave në rrugë.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forcat shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme”, ka thënë ministri Xhelal Sveçla. “Por edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta vetëm se kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e Forcave Speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”.