Rritje shifrash të COVID-19 ka pasur gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive sot është thuajse dyfish më i madh, sesa një ditë më parë.
Kështu, 264 të infektuar u regjistruan në këtë periudhë, krahasuar me 144 sa ishin gjatë ditës paraprake.
Mostra pozitive kanë rezultuar 3.7 për qind, gjë që paraqet po ashtu dyfishim në raport me ditët e para të këtij viti dhe të fundit të vitit të kaluar.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, nëpërmjet një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe stafit shëndetësor që ta marrin dozën e tretë të vaksinës.
Numri në rritje i rasteve, siç tha Latifi, pritet ta rrisë edhe numrin e pacientëve të shtrirë në klinikat COVID.
Sipas Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, të shtrirë nëpër spitale janë 11 pacientë të konfirmuar me COVID-19 dhe 22 me post-COVID.
Më 5 janar janë konfirmuar rastet e para me variantin Omicron.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, ai përhapet më shpejt sesa të gjitha variantet tjera të koronavirusit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.