Jeffrey Hovenier është kthyer sërish në Kosovë. Dikur i angazhuar në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Hovenier të hënën ka marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri, ndërsa ka deklaruar së pavarësisht se çfarë ka ndodhur në Kosovë për këto vite, gjithmonë ka pasur konsistencë në marrëdhëniet me SHBA-në.
“Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, sepse jemi të bekuar ta kemi SHBA-në pranë nesh. Roli i ambasadorit është thelbësor që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzojë. Në këtë kapitull të ri shpresoj t’i forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe, t’i shtyjmë idealet dhe vlerat demokratike që ne besojmë”, ka thënë ajo.
E, adresimi i parë në Kosovë i ambasadorit Hovenier ishte për punët e papërfunduara të Kosovës.
“Duhet falënderuar njerëzit e Kosovës që kanë punuar për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Është nder për karrierën time që kam punuar në procese që kanë pasur të bëjnë për Kosovën dhe nder për jetën time që do të punojë këtu. Ka ende shumë punë për të bërë, si në çdo shtet. SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës. Presidenti Biden ma besoi detyrën në një kohë kur këtu ka ende punë të papërfunduara. Do të punojmë me ju, me Qeverinë, me shoqëritë civile, me qytetarët tuaj. Zotimet e presidentes për zhvillimin e institucioneve të pavarura, sistemit gjyqësor, janë shumë të rëndësishme që të ecim përpara drejt institucioneve euro-atlantike. Është fillim i një dialogu dhe është një hap i mrekullueshëm”, ka thënë Hovenier.
Menjëherë pas takimit, ambasadori i shoqëruar nga Osmani zgjodhi të bënte homazhe te shtatorja e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“E kam ndier se ky është veprim që si ambasador i SHBA-së duhet ta bëjë për këtë personalitet në historinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Disa orë më vonë ambasadori Hovenier e takoi kryeministrin Kurti. E Kurti, kur foli për bashkëpunimin me SHBA-në, u fokusua më shumë tek problemet e brendshme të Kosovës që kërkojnë adresim.
“Pres që të kemi bashkëpunim të ngushtë për marrëdhënie sa më të mira midis Republikës së Kosovës dhe SHBA-së në mënyrë që ta thellojmë dhe zgjerojmë partneritetin dhe aleancën tonë e cila shtrihet në shumë fusha, prej sundimit të ligjit, demokracisë, qeverisjes së mirë, investimeve në ekonomi e deri te mbrojtja dhe siguria, paqja e qëndrueshme e stabiliteti afatgjatë”, ka thënë Kurti.
Hovenier u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.
Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara.
Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.