Të rreshtuar e kanë pritur pjesëtarët e regjimentit të parë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gjilan, kryeministrin Albin Kurti. Ata paraditen e së martës janë vizituar nga Kurti, i cili është shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Kryeministri në fjalimin që ka mbajtur para tyre, ka thënë se FSK-ja çdo ditë po rritet me kapacitetet e saj, siç ka theksuar, duke dëshmuar se është gati për përgjegjësi të reja dhe detyra edhe më të mëdha.
“Në vitin që lamë pas, FSK-ja sërish ka treguar profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të paqes dhe sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të Kosovës, por edhe jashtë. Si dhe jo vetëm për qytetarët, por edhe për të gjithë ata që kanë nevojë … Ngritja e ushtrisë është detyrë jona e përbashkët. Qeveria e Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si në pajisje dhe armatim, ashtu edhe në kushtet e shërbimit”, është shprehur Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se Ushtria e Kosovës përgatitet çdo ditë për ta mbrojtur atdheun.
“Ju, Ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra, edhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan të vlefshmen për të shtrenjtën, dhanë jetën për lirinë. Ju me shërbimin tuaj fisnik përgatiteni çdo ditë ta mbroni atdheun. Këmbësoria si degë më e vjetër e ushtrisë dëshmon se teknologjia dhe pajisja ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë fuqinë dhe vrullin e luftarakut të zotë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka lavdëruar pjesëtarët e FSK-së për paraqitjen në “Defender Europe 2021”. Ndërsa ka shtuar se sfidë e radhës mbetet përgatitja për “Defender Europe 2023”. Sipas tij, FSK-ja përsëri do të tregojë se është “ushtri e trajnuar, e disiplinuar mirë dhe ushtri e sukseseve”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.