Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, Fatmir Sopi, ka qenë dëshmitari i 11-të me radhë, i cili ka dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës.
Sopi në Hagë ka rrëfyer për ofensivën e 7 dhe 18 prillit, derisa ka shpalosur detaje nga ato që kanë ndodhur në fshatrat e Gollakut.
“Forcat serbe kanë granatuar me mjetet dhe teknologjinë që kanë poseduar nga të gjitha drejtimet, duke mos kursyer as civilët dhe as fëmijët, gratë dhe pleqtë, gjatë kësaj ofenzivive kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme ku familje të tëra apo njerëz që kanë qenë në shtëpitë e tyre janë granatuar dhe janë djegur për së gjalli”, tha Sopi.
Ish-pjesëtari i UÇK-së ka folur edhe për njësinë BIA, të cilin e ka udhëhequr Salih Mustafa.
“Rolin më specifik të njësitit BIA më së miri e shpjegon vet përfaqësuesi i njësitit BIA, ndërsa unë sa kam mujt me kuptu ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur të gjitha njësitet e tjera në Zonën Operative të Llapit, Rolin e çdo ushtari dhe çdo njësi unë nuk mund ta di por e di se kanë punuar në bazë të urdhrave dhe në bazë të rrethanave të kohës që të japin kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e vendit”, tha Sopi.
Dëshmitari Sopi ka thënë se zyrtarizimi i Brigadës 153, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai, është bërë në shtëpinë e tij.
Është pyetur për shkollën në Zllash e për të cilën ka thënë se aty nuk ka qenë i vendosur shtabi i brigadës.
“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore mirëpo shtabi i brigadës e ka pasur aty komandantin e qendrës stërvitore e shumë kush e ka identifikuar se ajo ka shërbyer si shtab, por ka qenë një zyre e komandantit të stërvitjeve, e përgjegjësive që kanë qenë për stërvitje të cilët kanë pasur zyre dhe ka qenë kuzhina për ushtarët të cilët kanë qenë në stërvitje ndërsa në atë kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, tregoi Sopi.
Gjykimi i Salih Mustafës është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës, derisa para Fatmir Sopit në këtë proces kanë dëshmuar edhe 10 dëshmitarë të tjerë.
Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij e sipas së cilit akuzohet për krime lufte.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.