Marrëveshjet ndërkombëtare financiare të premten kanë nxitur diskutim të ashpër mes pushtetit dhe deputetëve opozitarë të LDK-së. LDK-ja votoi kundër një marrëveshjeje ndërkombëtare për të cilën ministri i Financave, Hekuran Murati, e kritikoi duke thënë se me këtë veprim ka bërë historinë në Kuvend.
Marrëveshjet ndërkombëtare financiare të premten kanë ngritur tensione në Kuvendin e Kosovës.
Marrëveshja që kishte për qëllim reformimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë nuk arriti të kalonte në Kuvend, pasi që përveç deputetit Agim Veliu, kundër saj votoi Lidhja Demokratike e Kosovës.
Marrëveshjen të cilën e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, në emër të LDK-së, e kundërshtoi deputeti Avdullah Hoti.
“Vlera totale pritet ta kapë shumen 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë që të përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e Qeverisë të cilat shkojnë drejtë familjeve në nevojë”, u shpreh Murati.
“Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që Qeveria të marrë kredi për të kryer pagesat e skemave sociale. Çfarë shteti jemi ne, që nuk arrijmë me të hyrat që mbledhim të paguajmë skemat sociale”, është përgjigjur Hoti.
Përveç saj, në Kuvend për votim dolën edhe 5 marrëveshje të tjera të cilat u miratuan, por ajo e fundit u privua sërish nga mbështetja e LDK-së, për shkak të një postimi në Facebook të ministrit Murati.
“LDK sapo bëri histori në Kuvend! Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot. Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi”, kishte thënë Murati në Facebook.
Kjo nxiti reagim të ashpër të shefit të Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Për marrëveshjen e fundit ndërkombëtare nuk do të votojmë për shkak të sjelljes së ministrit Murati. Shikojani statusin që e ka bërë në Facebook. Kjo është e papranueshme”, u shpreh Gashi.
Pas insistimit, mundësia për replikë ndaj Gashit iu dha deputetit të LVV-së, Dimal Basha.
“Është hera e parë në histori të Kuvendit që një grup parlamentar voton kundër, që është për shtresën më të vrafët të këtij vendi. Tashti janë marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe tash votoni kundër”, reagoi Basha.
Pas kësaj pati përplasje, me Bashën që iu afrua Gashit e Gashin që i drejtohej me fjalët “baju”.
Për konfliktin e tij me Gashin, Basha u qortua nga grupi i tij parlamentar e nga shefja e grupit.
E kreu i Kuvendit i përdorte mënyrat e tij për nxitjen e pjesëmarrjes në votim të marrëveshjeve.
“Presim derisa sa të vijnë edhe tre deputetë, deputetë votues domethënë jo çfarëdo deputeti”.
Njëjtë me humor Konjufca e qetësoi situatën edhe në mes të deputetit Bekim Haxhiu e ministres Albulena Haxhiu.
“Zonja ministre a mundesh me ma lënë deputetin të qetë”.
Në këtë seancë të Kuvendit, deputetët nuk e votuan raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020, meqë thanë se në të janë gjetur shumë shkelje të KPMM-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.