Kompleksi në Prekaz ishte adresa e krerëve institucionalë këtë të shtunë.
Në përvjetorin e 24 të sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, me ç’rast u bënë homazhe, kryeministri Albin Kurti e ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, inspektuan edhe punimet në Kullën e Jasharëve.
“Para se të ndodhte Epopeja e UÇK-së ka pasur sulme mbi këtë Kullë, madje sulmi i parë është qysh në vitin 1991 para se më shumë se 30 vjetëve dhe ne e kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës e kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë, sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht edhe të dhimbshme”, ka thënë Kurti.
“Jemi në pritje të masterplanit, projektit përfundimtar të cilin do ta shpallim si konkurs ndërkombëtar dhe besoj që ndërhyrjet përfundimtare jo vetëm në këtë kullë por në gjithë kompleksin do të ndodhin me projektin, masterplanin që është pjesë e komunitetit për kompleksin memorial. Deri atëherë, kemi dashur të sigurohemi që këto struktura të qëndrojnë dhe nuk bien”, ka shtuar Çeku.
Profesori Naser Kabashi, ka thënë se në çdo moment mund të priten dëmtime të paparashikuara, për shkak të gjendjes jo të mirë të objektit.
“Ky projekt është emergjent, i cili ka për detyrë ta ruajë strukturën për një kohë të caktuar. Nëse më pyesni sa është ajo kohë e caktuar, orientimisht dëshira është që të mos kalojë dy vite e intervenimit komplet që duhet të bëhet në gjithë kompleksin”, është shprehur ai.
24 vjet më parë, Kulla e Jasharëve është sulmuar për herë të dytë nga forcat e policisë serbe.
Derisa ka shpalosur detaje nga nata e 22 janarit të 98-ës, Bekim Jashari e ka quajtur tinëzar sulmin.
“Bënë një rezistencë afërsisht 45 minuta kur i zmbrapsen ato forca, atë njësi elite, se sipas informacionit flitet që ka qenë vetë Arkani me njësitin e tij. Axhë Ademi nuk ka qenë në shtëpi atë ditë, me të dëgjuar të shtënat ka ardhur në shtëpi me shokët e tjerë, por që sulmi kishte përfunduar dhe kanë vazhduar jetën e tyre”, ka thënë Jashari.
Të shtunën homazhe te familja Jashari, kanë bërë edhe kryetarët e Drenasit e Skenderajt, si dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.