Prishtinë, 20 shkurt - Nxënësit në disa shkolla po detyrohen t’i ndjekin mësimet pa mësimdhënës adekuatë, kjo për shkak të mungesës së stafit të disa profileve në mësimdhënie.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë pranon se ka mungesa të kuadrit në lëndën e matematikës, gjuhës gjermane dhe fizikës. Por ajo nuk është e vetmja.
“Kemi mungesa të mësimdhënësve, kryesisht të lëndëve të matematikës, fizikës dhe gjermanishtes. Me gjermanisht kemi mungesë, tri orë kanë mbetur të paplotësuara në shkollën ‘Nexhmedin Niqa’. Konkursi për lëndën e gjermanishtes ka qenë i hapur dhe vendimi është i datës 09.07.2021, në të cilën shumica e kandidatëve nuk kanë qenë të diplomuar, pra kanë qenë me konkurse të ndryshme”, ka deklaruar Eranda Baçi, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë.
Me të njëjtin problem po përballen edhe në komunat e Pejës dhe të Gjilanit.
Nga këto komuna thonë se disa lëndë, si gjermanishtja dhe fizika, po detyrohen t’i zhvillojnë mësimdhënës që nuk janë të profilizuar në këto fusha.
“Në disa shkolla këtë lëndë e zhvillojnë mësimdhënësit që janë të diplomuar të gjuhës angleze. Ata në kuadër të gjuhës angleze kanë edhe gjuhën gjermane, dhe po e zëvendësojnë. Ka ndonjë mungesë të theksuar, por mungesë tejet e vogël është ajo e gjuhës gjermane në ndonjë shkollë në numër shumë simbolik”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Pejë, Naser Gega.
Njëjtë qëndron problemi edhe në Gjilan.
“Përveç lëndës së fizikës ku nuk kemi mësimdhënës të diplomuar, është dashur të angazhohen studentët të lëndës së fizikës, kurse të gjitha të tjerat kemi kuadro dhe gjendja është stabile”, u shpreh drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjilanit, Selvete Sylejmani. Ata, sipas saj, po i zëvendësojnë studentët që studiojnë fizikë.
Drejtor i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, thotë se kjo po ndodh për dy arsye.
“Ajo çka ne vlerësojmë është rëndësia dhe domosdoshmëria që të kemi një koordinim mes kërkesës për këto lëndë nga shkollat dhe kuotave që miratohen nga Agjencia për Akreditim, pra kjo mospërputhje kthehet në mungesë të profileve dhe në dëm të sistemit tonë arsimor. Përveç mungesës në numër, ajo çka ne na është dëshmuar në këto vite është një hezitim i mësimdhënësve për mësimdhënie në disa komuna dhe veçanërisht në thellësi në disa fshatra”, ka shpjeguar Qehaja.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, duke iu referuar mungesës së profileve të caktuara, thekson se ministria është duke punuar që në të ardhmen të rritet numri i të pranuarve në profilin e fakulteteve për të cilat kanë më shumë nevojë shkollat.
“Mungesë të mësimdhënësve sa u përket numrave nuk do të duhej të kishte, mund të ketë mungesë të profileve të caktuara siç është për shembull profili i gjuhës gjermane, ku njerëzit tani kanë mundësi të tjera të punësimit. Mendoj që në ato raste duhet të bëhen përpjekjet më të mira që të gjendet një zëvendësim sa më i kualifikuar që është e mundshme dhe natyrisht ne duhet të kemi kujdes që me fakultetet përkatëse të shtojmë numrat me rastin e regjistrimit në mënyrë që të ketë më shumë në të ardhmen ofertë në atë fushë”, tha Pupovci.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.