Tensione në SHSKUK
Listat e gjata të pritjes, mungesa e barnave esenciale e mosfunksionializimi i spitalit të fëmijëve ishin disa nga çështjet që u diskutuan në Komisionin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Nënkryetari dhe anëtarët e tjerë hodhën akuza në drejtim të Bordit dhe menaxhmetit të ShSKUK-së për situatën aktuale të shëndetësisë që, sipas tyre, ka ardhur nga papërgjegjësia e tyre.
Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se është shqetësuese lista e pritjes deri në 1 vit në këto klinika.
“Çka po ndodh me lista të pritjes. 20 mijë operacione janë më pak në ShSKUK në 2021. Pra janë 20 mijë operacione më shumë në sektorin privat. Dhe kjo ka kosto miliona euro. Dikush ka përfitu dhe prandaj ka edhe përpjekje me i ikë llogaridhënies dhe nuk ka përgjegjësi ku lista e pritjes në procedurë diagnositfikuese nga 0 ditë sa ishte deri në 1 javë është bë në 6 muaj deri në 1 vit”, ka thënë Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së.
E Armend Zemaj, nënkryetar i Komisionit për Shëndetësi ka thënë se thënë se sot është gjithkund kaos shkaku i mosmenaxhimit.
“Kryesuesja e bordit është kryesuese e komisionit për përzgjedhjen e klinikave, dmth hierarkia më e lartë e cila propozohet nga ministri, miratohet nga qeveria është emërim politik i zgjedh drejtorët e klinikave. Shkoni sot në emergjencë e keni kaos. Ata kanë krijuar kaos jo për faj të mjekëve por për shkak të papërgjegjësisë të saj dhe të këtij ekipi. Pse po e themi këtë, sepse shembujt janë të përditshëm, të këqinj dhe askush nuk po jep përgjegjësi deri më sot”, ka thënë deputeti i LDK-së, Zemaj.
Anëtarët e tjerë të Komisionit kërkuan të merret përgjegjësi për këto parregullsi duke kërkuar edhe shkarkimin e Bordit të SHSKUK-së.
“I bëjë thirrje kryeministrit Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, që të mos hezitojnë ta shkarkojë këtë bord sepse gjatë këtij viti janë shkarkuar borde e borde dhe nuk bahet nami nëse e shkarkojmë edhe këtë bord për të cilët të gjithë deputetët kanë vërejtje. Dhe të zgjedhet një bord tjetër dhe të merret një përgjegjësi”, ka deklaruar deputeti nga VV-ja, Haxhi Avdyli.
Kritik u tregua edhe Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së.
“Përgjegjësit duhet të ndahen. Duhet konstatuar ku është pengesa. Pse një situatë e këtillë në QKUK. A është problemi te organizimi i shërbimit klinik universitar apo është problemi te personat të cilët janë të nominuar për t’i menaxhuar këto institucione”, ka thënë ai.
Kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha, ka kërkuar që këto ankesa t’i parashtrojnë para ministrit të Shëndetësisë në mënyrë që të marrin përgjigje, gjë për të cilën ata caktuan si datë të mërkurën e ardhshme që të takohen me ministrin Latifi.
Ndaj këtyre kritikave ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës duke njoftuar se gjatë vitit 2021 janë realizuar mbi 33 mijë operacione.
SHSKUK-ja është arsyetuar duke thënë se në mospunën e tyre ka ndikuar shumë edhe pandemia.
“SHSKUK informon opinionin publik se në nivel të SHSKUK gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsej 33, 666 operacione, që përbën rreth 7,000 operacione më pas se në vitin 2019 (në kohën para pandemisë), ndërsa krahasuar me vitin 2020 janë rreth 7,500 operacione më shumë në vitin 2021. Kosova gjatë vitit 2021 është përballur me 2 valët më të ashpra të pandemisë COVID-19; kështu, krahas menaxhimit me sukses të pandemisë COVID-19, ShSKUK-ja ka arritur që gjatë vitit 2021 të realizojë numër të konsiderueshëm të intervenimeve kirurgjikale. Po ashtu, kryerja e operacioneve të natyrës urgjente, emergjente dhe rastet me sëmundje të rënda (tumorët) nuk është ndërprerë në asnjë fazë të pandemisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.