Ndarja e fondit të veçantë për ukrainasit, që po kalojnë ditë të vështira si pasojë e invazionit të Rusisë e pranim të refugjatëve shtesë përmenden në rezolutën që e ka miratuar Kuvendi në mbështetje të këtij shteti.
Ndër të tjera është dënuar edhe agresioni rus dhe rreshtimi i Serbisë në krah të Rusisë.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion... Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t’i koordinojë të gjitha veprimet e mëtejshme me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të shprehë gatishmërinë për strehimin eventual të deri 5.000 refugjatëve nga Ukraina”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Por, rezoluta u kundërshtua nga Lista Serbe. Deputeti Igor Simiq tha se janë për paqe, ndërsa u kërkoi kryetarëve të partive të përmbaheshin nga gjuha e ashpër.
“Atë që e kam dëgjuar nga kolegët e tjerë dhe dua të theksoj edhe një herë që serbët dje kanë thënë dhe e kanë gjykuar këtë luftë në Ukrainë, dhe të gjitha sulmet të cilat janë në vazhdimësi, andaj dëshiroj që të them edhe një herë edhe pse nuk është pjesë e kësaj rezolute edhe për shkak të të gjithë qytetarëve të cilët janë duke e përcjellë këtë që po e them veçanërisht që nuk dëshirojmë që të kemi tensione me këto deklarata, sepse këtu në Ballkan popujt tanë shumë kanë vuajtur në të kaluarën. Ballkani duhet të jetë veçmas prej krejt këtyre ngjarjeve që po ndodhin”, tha Igor Simiq, deputet i Listës Serbe.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se askush nuk duhet të rrijë indiferent për situatën e krijuar.
Ndërsa liderët e opozitës kërkuan nga institucionet që të aplikojnë për anëtarësim në NATO e BE.
Prezent në këtë seancë ishte edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von-Cramon, që ka shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO e në BE.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.