Koalicioni AAK-PSD nominon zyrtarisht Haradinajn për kryeministër

Koalicioni AAK-PSD nominon zyrtarisht Haradinajn për kryeministër

07 September 2019 19:59

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është nominuar për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, në një tubim të mbajtur sot.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve , Haradinaj ka folur edhe për përpjekjet për ndarjen e Kosovës.

Ai fjalimin e ka nisur duke përshëndetur fitoren e Kombëtares së Kosovës ndaj Çekisë.

Haradinaj ka thënë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij gjithmonë e kanë mbrojtur pragun e shtëpisë.

“Ne e kemi mbrojt gjithnjë pragun e shtëpisë dhe do ta mbrojmë. Kosova jonë me ushtrinë e vet, me polici, gjyqësi, institucione sot është me e sigurt, por populli i Kosovës është zot shpije në shtëpi të vet”, është shprehur ai, thuhet në një njoftim për media.

Haradinaj ka thënë se populli, më 6 tetor, do ta mbrojë pragun e shtëpisë.

Ka folur edhe për kohën kur e ka marrë udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

“Në shtator 2017 kur e kam marrë udhëheqjen, shpija jonë Kosova ishte në terr, nuk prodhonte energji elektrike. Merreni me mend ishim në terr. Kosova nuk e kishte Trepçën, nuk e kishte Ushtrinë”, ka theksuar Haradinaj.

Ai në fjalimin e tij nuk ka lënë pa përmendur as përpjekjet për copëtimin e Kosovës.

“Në atë kohë prapa shpine bëhej një dialog i rrezikshëm. Pra, rrezikohej pragu i shtëpisë. Taksa 100% ka qenë e nevojshme. Nuk është veç taksë, po është sovranitet. Kjo është listë e shtëpisë. Këta janë njerëz të Kosovës. Janë njerëz të pragut. Janë njerëz të dijes, guximit, përkushtimit. Që do ta rrisin ekonominë, që do ta bëjnë Kosovën të barabartë”, ka thënë në fund Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme