Kadrijaj mbron të akuzuarit që po garojnë për deputetë me AAK-në

Kadrijaj mbron të akuzuarit që po garojnë për deputetë me AAK-në

09 September 2019 23:46

Duke thënë se s’janë konfirmuar aktakuzat, ish-deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u ka dalë në mbrojtje zyrtarëve të partisë së saj, që edhe pse kanë aktakuzë janë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës sa ishte kryetar i Gjakovës, ndërsa Rrustem Berisha për rastin e veteranëve të luftës. Në listën e AAK-së është edhe Shkumbin Demaliaj, që akuzohet pos rastit të veteranëve edhe për kërcënimin ndaj ish-prokurorit special, Elez Blakaj. Ilir Baldedaj, ishte i dënuar për korrupsion ndërsa së fundmi ka edhe aktakuzë për keqpërdorim të pozitës sa ishte drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit.

“Aktakuzat s’janë të konfirmuara. Deri në momentin që merret një vendim final dhe konfirmohet një aktakuzë e një person duhet t’i përgjigjet një aktvendimi, unë mendoj që të gjithë kanë të drejtë të garojnë e nëse fitojnë edhe të jenë pjesë e legjislaturës. Janë të dyshuar, e jo të akuzuar deri sa s’ka vendim final. Nuk janë të konfirmuara plotësisht. Deri sa të sillet vendimi final, që të konfirmohet, s’mund të thuhet se janë të akuzuar. Sikur edhe me Pal Lekajn e Rrustem Berisha, edhe Shkumbin Demaliaj është një aktakuzë për gjoja kërcënim të ish-prokurorit, që e ka thënë në afekt, sepse ai ka sqaruar në një letër publike, se ishte periudhë që i kishte vdekur prindi e ndoshta e ka thënë nën afekt. Ai s’ka marrë asnjë veprim për ta kërcënuar, fjalë publike, por s’ka pasur asnjë veprim. Ka kërkuar falje për atë deklaratë”, ka thënë ajo në Interaktiv duke shtuar se nëse konfirmohen aktakuzat zyrtarët duhet të japin dorëheqje.

Për rastin e Baldedajt, Kadrijaj ka thënë se “nëse është dënuar dhe ka vuajtur dënimin, a duhet sanksionuar në vazhdimësi për këtë”.

Duke arsyetuar praninë e këtyre zyrtarëve në listën e koalicionit AAK-PSD, Kadrijaj ka thënë se lista i ka 110 persona dhe duhet të shikohet nga fillimi deri në fund.

Ajo ka thënë se koalicioni AAK-PSD do të jetë fitues në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kur ka folur për luftën kundër korrupsionit, ajo ka thënë se Qeveria e shefit të saj në parti, Ramush Haradinaj, ka bërë një veprim konkret në këtë drejtim, e që, sipas saj, ka qenë rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

“Është obligim i secilës qeveri që të luftojë krimin dhe korrupsionin. Por le ta shohim se sa po zbatohet praktikisht. Asnjë kandidat për kryeministër nuk besoj që është kundër që të luftohet kundër korrupsionit. Por të thirret për pakt, tash në kohë fushate, nuk na është duktë shumë e drejtë. Të shpresojmë që edhe PDK-ja e ka përnjëmend ta luftojë korrupsionin”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme