Krasniqi i thotë Ahmetit “hajn me letra”, ky “legen i Dautit”

11 September 2019 20:10
20:59

Frashër Krasniqi i PSD-së është përplasur me Valdrin Ahmetin e Vetëvenodjes, në Rubikon të KTV-së.

Krasniqi ia ka përmendur Ahmetit përjashtimin nga Vetëvendosje, siç tha ai për keqpërdorim me fonde.

“Nuk po e kuptoj se si Lëvizja Vetëvendosje ka sjell këtu në debat për të folur për korrupsionin një njeri të cilin e ka përjashtuar pikërisht për keqpërdorim të fondeve të partisë. Një person i cili ka ngel në shkollë të mesme, e nuk e ka as Fakultetin e kryer”, ka thënë Krasniqi.

“A më tregon ku ke qenë sa herë që ne aktivistët e VV-së kemi qenë në burg ose kemi hangër dajak prej policisë. Ka qenë tu bo pare me bizneset e tij, për ta blerë veturën e tij 12 mijë euro. Tri herë është dalë nga Lëvizja sa herë që i është ofruar një rrogë më e madhe”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë gjithashtu se Liburn Aliu e ka goditur me shuplakë Ahmetin.

Ahmeti ka thënë se e ka sqaruar këtë çështjen e letrës së keqpërdorimeve, duke thënë se “nuk mund ta shantazhojnë me atë letër”.

“Frashër Kransiqi është mirë me na tregu se si e ka shantazhu Dardan Molliqaj për me u bo kundër Albinit”, ka thënë Ahmeti.

“Legen i Dautit je bo. Boll më. Ky ka ardh me ja la duart me krim e haraç AAK-së. Ti je legen që përfaqëson homologimin e Pal Lekajt dhe 53 milionshin për Bechtel Enkas”, i ka thënë Ahmeti - Krasniqit.

20:45

Hoti: PDK-ja po largon figura prej partisë e ato po i bashkohen VV-së

Enver Hoti i Nismës, ka akuzuar PDK-në e Vetëvendosjen se janë të njëjta dhe të se të dyja po mashtrojnë.

Ai në Rubikon tha se PDK-ja po largon disa fytyra prej partisë e ato po i bashkohen më pas Vetëvendosjes.

“Po shoh se PDK-ja po tenton të fshijë të kaluarën për të krijuar ‘demek’ mundësi për të sjellë drejtësi e luftë kundër korrupsionit. Po largon figura, e ato po shkojnë në Vetëvendosje. VV-ja e PDK-ja po mashtrojnë. Janë të njëjta”, tha ai.

20:34

Hoti: Haradinaj u lodh për të çuar përpara agjendën e përbashkët, VV-ja si PDK-ja

Enver Hoti, ish-deputet i Nismës, ka thënë se Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit sepse ishte “lodhur për të çuar përpara agjendën e përbashkët të koalicionit PAN”.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se deklarimet e PDK-së për të luftuar korrupsionin janë vetëm populizma. Këtu ka përfshirë edhe Vetëvendosjen duke thënë se të dy partitë kanë qëndrim të njëjtë.

“Deklarimet e PDK-së janë populiste. Çka do të bëjë PDK-ja me njerëzit brenda partisë e që janë me aktakuzë. Nuk përfundon luftimi i korrupsionit nëse e shmang një person me aktakuzë. PDK dhe VV kanë qëndrim të njëjtë. Dera e parë që duhet të bëhet është ardhja në parti. Nëse i ofron mundësi të jetë pjesë e listës, të udhëheqë partinë, dikujt që deri dje ishte në pushtet dhe ishte me penalizime të ndryshme, nuk po jep mesazhin e qartë. As VV-ja s’ka listë aq të pastër sa pretendon”, ka thënë ai, duke refuzuar t’i përgjigjet Valdrin Ahmetit të VV-së për të dhënë emra të kandidatëve të VV-së me aktakuzë.

Duke iu përgjigjur deklarimeve të Frashër Krasniqit të koalicionit AAK-PSD se kryeministri Haradinaj ka udhëhequr rrugën drejt Ushtrisë dhe zhvillimet e tjera dhe se Haradinaj është i pari që ka arritur ta rrëzojë PDK-në nga pushteti, Hoti ka thënë se “jemi të gatshëm të pranojmë të arriturat por edhe gabimet, por asnjëra s’janë vetëm të Haradinajt”.

“Më e keqja që përmendi Frashëri mendoj se është veprimi i dorëheqjes. Ky vendim sikur e la në gjysmë të rrugës atë rrugëtimin e përbashkët e atë agjendë e ato tema të caktuara pa i shtyrë përpara. Ka shfaqur shenja të lodhjes për të çuar tutje përpara tema të caktuara. Ai u shmang. Sikur që u shmang nga një lodhje”, ka shtuar Hoti.

Sipas Hotit, “Haradinaj s’ka pasur arsye të japë dorëheqje sepse në Hagë s’është ftuar si i akuzuar, por për intervistë si dhjetëra të tjerë”.

Image
20:33

Gecaj-Krasniqit: Je përfaqësues i AAK-së

Arben Gecaj i PDK-së i ka thënë Frashër Krasniqit të PSD-së se kinse ky ka ardhë në Rubikon veç si i deleguar i AAK-së.

“Ti z.Krasniqi i AAK-së”, i është drejtuar Gecaj.

“Krasniqi i ka thënë “Jam i PSD-së. Përfaqësoj koalicionin AAK-PSD”.

“Ti përfaqëson AAK-në. Sonte të kanë deleguar këtu e flet kinse për luftimin e korrupsionit”.

Krasniqi i ka thënë se “Për herë të parë dikush po ju çon juve (PDK) në opozitë.

Gecaj, i ka thënë Krasniqit, se AAK-PSD s’do të mund kurrë të fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit. Tutje, ka shtuar se deri vonë e ka akuzuar AAK-në e tash po flet si Haradinaj.

Image
20:21

Krasniqi: PDK-ja është boshti i krijimit të korrupsionit

Frashër Krasniqi, kandidat i PSD-së për deputet nga koalicioni PSD-AAK, ka thënë se është “gjoja nismë lufta për korrupsionin”, sepse po bëhet vetëm në kohë fushate.

Ka akuzuar PDK-në si partinë kryesore që ka ngjallë korrupsionin në Kosovë. E ka quajtur gjithashtu “bosht të krijimit të korrupsionit”.

“Janë edhe partitë tjera, por PDK-ja ishte boshti i krijimit të korrupsionit. PDK-ja e krijoi korrupsionin”, tha ai në Rubikon të KTV-së.

Krasniqi, tha se PDK-ja është kallëzuar më e fuqishme se partitë tjera, sidomos karshi LDK-së, dhe ka instaluar korrupsionin nëpër institucione.

“Sot mundemi me fol tërë ditën se si PDK-ja është boshti i korrupsionit, por PDK-ja tash është e kaluar, mbetet në opozitë. Ky bosht i krijimit të korrupsionit do të rrëzohet”, tha ai.

Krasniqi tha se “i vetmi subjekt që mund të bëjë projekte të mëdha për Kosovën është AAK-PSD”.

“Ky bashkëpunim kur ka pasë bashkërendim ka arritë të bëjë projekte të mëdha, si rritja e pagave”, tha ai.

Krasniqi, e ka lavdëruar Ramush Haradinajn e AAK-së.

“Me guximin e tij ndaloi ndarjen e Kosovës”, tha ai.

Ai ka thënë se Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë dashur ta krijojnë Ushtrinë e Kosovës, por ndaluan prej presioneve, dhe sipas tij, vetëm guximi i Haradinajt bëri që Kosova ta krijojë Ushtrinë.

Ka thënë se Vetëvendosja ka dështuar në shumë aspekte, përfshirë për korrupsionin.

“Kur e mori Vetëvendosja Prizrenin, asnjë dosje s’ndodhi, asnjë njeri nuk shkoi në burg për korrupsion. Filluan keqpërdorimet, punësimet partiake”, tha ai.

Image
20:17

Ahmeti: Të gjitha partitë e pranojnë se vetëm VV-ja mund ta luftojë korrupsionin

Valdrin Ahmeti nga Vetëvendosje ka thënë se Arben Gecaj i PDK-së ka të drejtë kur thotë se PDK-ja e ka nxitur shoqërinë dhe partitë politike drejt luftës kundër korrupsionit.

Por sipas tij, kjo për faktin se vetë kjo parti e ka instaluar korrupsionin.

“Niveli i diskutimit publik në Kosovë nuk e ka kredibilitetin e duhur kur bëhet fjalë për korrupsionin. Është e vërtetë që PDK-ja na ka shtyrë në këtë temë, për arsye se krejt çka di të bëjë PDK-ja në qeverisje është korrupsioni. Neve na duhet si shoqëri me u marrë me këtë punë në të cilën na ka sjell PDK-ja”, ka thënë Ahmeti në Rubikon të KTV-së.

Ai ka thënë se përfaqësuesit e subjekteve politike “ndoshta këta jo sonte këtu në debat, por në tavolina të tjera e pranojnë se Vetëvendosjes është subjekti i vetëm që e ka dijen dhe fuqinë ta luftojë korrupsionin”.

Ai ka thënë se hapi i parë që do ta bëjë Vetëvendosje është miratimi i ligjit antimafia, i cili, siç ka thënë e bën konfiskimin e pasurisë të cilës nuk i dihet prejardhja.

Ka përmendur edhe vettingun, i cili, siç ka thënë, fillon nga nivelet e larta në sistemin e drejtësisë, me Këshillin Gjyqësor, me Këshillin Prokurorial, si dhe me Policinë e Kosovës.

Ahmeti ka thënë se vettingu do të bëhet pas ndryshime të nevojshme kushtetuese, e me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë.

Image
20:10

Gecaj: PDK-ja do ta luftojë korrupsionin, qytetarëve do t’ua stabilizojë jetën

Arben Gecaj, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet për këtë parti.

Ai në Rubikon të KTV-së tha se “PDK-ja ka konstatuar një problem këto kohët e fundit dhe se ka dy qëllime”.

“Kemi dy qëllime që duam t’i arrijmë. Stabilizimi i jetës politike dhe normalizimi i Kosovës si shtet”, tha ai.

Tema për luftën kundër korrupsionit, tha ai, është temë që është aktualizuar tek të gjithë.

Gecaj, thotë se PDK-ja shoqërinë e Kosovës e ka shtyrë një hap më tutje.

“Sikur mos të ishin zgjedhjet, nuk e di a do të diskutohej kështu për korrupsionin”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Vetëkritika, thotë ai, është e dukshme sepse debati që është instaluar në PDK, dhe pyetje kryesore aty është si është zhvilluar shteti sa udhëhiqte shtetin PDK-ja.

Gecaj, tha se PDK-ja do ta luftojë korrupsionin.

“PDK-ja këto vite ka bërë projekte të mëdha për Kosovën, e çoi veten përpara”, tha ai.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme