Osmani viziton “Ulpianën”, thotë se do t’i kushtojë kujdes të veçantë trashëgimisë kulturore

Osmani viziton “Ulpianën”, thotë se do t’i kushtojë kujdes të veçantë trashëgimisë kulturore

14 September 2019 16:20

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka vizituar sot parkun arkeologjik "Ulpiana", nga ku është zotuar se me të në qeverisje do të ketë më shumë investime në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Osmani potencoi se është shumë e rëndësishme që secili në Kosovë ta dijë që ky park është pjesë themeltare e identitetit tonë.

"Është tepër me rëndësi që secili në Kosovë, por edhe gjeneratat e reja, nxënësit, studentët, ta kuptojnë që kjo është pjesë themeltare e identitetit tonë. Trashëgimia kulturore është prej ku fillon identiteti ynë, prandaj edhe duhet t'i kushtojmë kujdes të veçantë. Prandaj edhe duhet të sigurohemi që fëmijët qysh në moshë të hershme të vizitojnë këtë vend dhe vende të tjera të ngjashme, të cilat tregojnë jo vetëm për lashtësinë e popullit tonë po tregojnë edhe për qytetërimin të cilit ne i takojmë", tha ajo.

Osmani u shpreh se gjatë qeverisjes së LDK-së, është investuar shumë në këtë park dhe gjatë asaj kohe është kurorëzuar hapja e këtij parku, transmeton KP.

Ajo tha se pikërisht si parti e qendrës së djathtë, punojnë që të njihet rëndësia e trashëgimisë kulturore.

"Në qeverisjen tonë do të ketë rritje të investimeve në këtë fushë, në mënyrë që shumë thjeshtë të sillemi si e gjithë Evropa e qytetëruar. Pasi që në çdo vend të zhvilluar që shkojmë dhe sidomos ne që kemi jetuar për një kohë jashtë vendit e shohim që muzetë arkeologjik, vende të tilla, parqet arkeologjike janë vendet ku prindërit për herë të parë i dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar për trashëgiminë kulturore. Kështu që, bashkë më shumë profesionistë që i kemi në LDK do të kujdesemi që absolutisht të ketë investime shumë më të mëdha, por mbi të gjitha kujdes dhe vullnet politik për ta trajtuar si duhet këtë fushë", u shpreh Osmani.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre gjatë ditës do të zhvillojë edhe aktivitete të tjera dhe takime me qytetarët.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme