Limaj do ballafaqim me kandidatët tjerë për kryeministër - “Le të fitojë më i miri” Foto: Koha

Limaj do ballafaqim me kandidatët tjerë për kryeministër - “Le të fitojë më i miri”

14 September 2019 20:41

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje kandidatëve për kryeministër nga partitë e tjera që të përballen në një debat, për të treguar se cilat janë programet e tyre.

Në mes tyre do që të zhvillohet një debat me tema të ndryshme e më pas “të fitojë më i miri”, e kush fiton, thotë se do t’ia zgjasë dorën.

Limaj nga takimi me strukturat e Nismës në Kaçanik tha se gara tani është duke u zhvilluar në mes të kandidatëve, e për këtë ai ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së shtetit.

"Njerëzit presin nga unë, e kur them nga unë nga të tjerët atje në publik me dal dhe me thanë cila është zgjidhja jote për dialogun, çka mendon ti për liberalizimin e vizave, çka mendon për zhvillimin ekonomik, cili është projekti yt për me u mbështet ndërmarrjet publike e private? Ti si kryeministër, cila është aftësia jote e bashkëpunimit me të tjerët? A kanë me të udhëheqë hujet e tua personale, a ka me të udhëheqë intelekti dhe profesionalizmi e kompetenca? Si ulesh në tavolinë me Serbinë? Këto pyetje duan përgjigje. Nuk mundesh me e drejtua vendin duke sha të tjerët, e duke treguar çka kanë bë ata, tregona ti çka ki me bë. Ta kthejmë këtë garë në mes 5 kandidatëve dhe le të fitojë më i miri dhe unë ai që fiton ia zgjat dorën", tha Limaj.

Ai theksoi se është i gatshëm të ballafaqohet me secilin veç e veç dhe me të gjithë së bashku, ku ai tha se në këtë përballje do të dilte faqebardhë.

Limaj shtoi se ka refuzuar postin e kryeministrit disa herë, pasi që nuk e kishte ndjerë vetën të gatshëm, por që tash, thotë se është i gatshëm për ta drejtuar vendin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme