Numrat e partive në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 deri më 135 Foto: Koha / ilustrim

Numrat e partive në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 deri më 135

16 September 2019 17:12

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që numrat e partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit të jenë nga 111 e më lartë dhe të mos korrespondojnë me numrat e kandidatëve për deputetë, sikurse në zgjedhjet e kaluara.

Për këtë vendim ka njoftuar drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimit të Subjekteve Politike, Yll Buleshkaj, sipas të cilit tash e tutje renditja e subjekteve politike në fletëvotim do të jenë nga 111 deri 135, raporton KP. Për këtë udhëzim u pajtuan të gjithë anëtarët e partive politike. Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ndonëse u pajtua me këtë udhëzim, kërkoi që të bëhet më atraktiv kombinimi i numrave.

“Çdo herë kur e kemi bërë tërheqjen e shortit ka koinciduar që ai numër me i ra një kandidati, dhe pothuajse sa herë që kandidatëve iu ka rënë ai numër, ata janë bërë deputet, pavarësisht se a ka qenë i 80 apo 90, megjithatë kanë pasur fat. Ndoshta pajtohem me këtë që kanë propozuar që të jetë mbi 110, por do të ishte mirë që të ketë një atraktivitet të numrave në kuptim të renditjes, sepse ajo bëhet kur të tërhiqet shorti, por kombinimi i numrave do të ishin më lehtë për t’u mbajtur mend për faktin se janë tre shifror”, tha ai.

E Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur një vendim të tillë për çka tha se kjo ndikon edhe në zvogëlimin e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme.

“Pajtohem që renditja mos të jetë ose të mos korrespondojë me numrat e kandidatëve së pari për faktin se duhet të kemi qëndrim neutral në kuptim të mosfavorizimit të asnjë numri. E dyta, mendoj se është e rëndësishme për eventualisht zvogëlimin e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme për një kategori të fletëvotimit të pavlefshme për ata votues që e mbajnë mend vetëm numrin edhe shkojnë e votojnë vetëm kandidatin e subjektit politik me atë numër e jo edhe subjektin politik”, theksoi Rrustemi.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK, tha se numri i subjekteve politike është mirë të jetë mbi 110.

“Konsideroj se është gjithsesi mirë të jetë mbi numrin 110, sepse zakonisht në sa palë zgjedhje i kemi minimumi katër apo pesë deputetë që hyjnë me numër mund të themi çka të duam ata mund të thonë se kur të zgjidhen kanë qenë meritorë dhe se populli po i do, por nuk është e vërtetë - është numër i caktuar që çdo herë votojnë”, tha Halimi.

20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur ia mësyjnë Kuvendit. Të gjitha partitë politike kanë bërë publike listën e kandidatëve, me të cilët do t’i hyjnë garës për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Të martën do të organizohet ceremonia e tërheqjes së shortit dhe aty subjektet politike do të mësojnë për numrin e tyre dhe njëkohësisht renditjen në fletëvotim.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme