7 perditesime
22:06

Secila parti akuzon njëra-tjetrën për korrupsion

Avdullah Hoti i LDK-së, Glauk Konjufca i VV-së, Memli Krasniqi i PDK-së e Visar Ymeri i koalicionit AAK-PSD kanë akuzuar partinë e njëri-tjetrit për korrupsion.

Konjufca ka akuzuar secilën qeveri të deritashme për zhvatje të buxhetit.

“Mendoj që sa i përket asaj që kanë parë qytetarët e Kosovës se si është qeverisur deri tash, vendimin tashmë e kanë marrë dhe e kanë në kokë. Më 6 tetor do të largohen nga qeverisjet e deritashme, nga ajo që kanë parë. Pushtete që sa i përket zhvatjes së buxhetit ka pas zhvatje nga presidenti e deri te zëvendësministrat. Ka pas skandale të shumta. Me qeverisjen tonë do të shohim drejtësi, në kuptimin që sa i përket atyre rasteve që ndodhin në institucionet ku i ke krimet e qarta dhe s’ndodhin proceset gjyqësore, do të përfundojë njëherë e përgjithmonë në Kosovë”, ka thënë ai.

Konjufca tutje ka akuzuar PDK-në se e ka kapur drejtësinë duke deklaruar se në rastet gjyqësore kur bëhet fjalë për njerëz të kësaj partie “ose proceset zgjasin e njerëzit mbesin në liri, ose ato rikthehen nga fillimi”.

Për mbushje me zyrtarë të partive nëpër borde e ndërmarrje, Konjufca ka akuzuar edhe LDK-në.

Krasniqi i PDK-së i ka mohuar deklarimet e Konjfucës duke thënë se “janë llafe të shehrit” dhe se ai po “flet sikur të jesh tabloid”. Ai ka akuzuar Vetëvendosjen se “keni detyruar Shpend Ahmeti t’i marrë 500 njerëz në punë në komunën e Prishtinës”. Këtu ka ndërhyrë sërish Konjufca që ka thënë se kjo akuzë duhet t’i drejtohet Visar Ymerit sepse ai dhe Ahmeti tash janë pjesë e PSD-së.

Ymeri ka thënë se ish-partia e tij, Vetëvendosje, s’ka plan si të luftojë korrupsionin. Teksa Ymeri ka folur për planin ekonomik për “krijimin e fondit zhvillimor të bazuar në katër pika”, Konjufca e ka akuzuar atë se këto ide janë marrë nga Vetëvendosje e se idetë e tilla janë socialdemokrate dhe ato nuk mund të zbatohen nga AAK-ja, si partnere e PSD-së.

Krasniqi ka akuzuar LDK-në edhe për keqpërdorime në mjekësi, ndërsa ka përsëritur se kryetari i partisë, Isa Mustafa, sa “ka qenë kryeministër u jepte tenderë djemve të tij”. Hoti është arsyetuar duke thënë se vetura ishte e tipit BMW dhe se ishte vetëm një kompani e autorizuar në Kosovë dhe s’ka pasur ku tjetër të dërgohet.

Hoti po ashtu ka thënë se asnjë rast që Ahmeti kishte dërguar në prokurori për Mustafën si ish-kryetar i Prishtinës nuk ka përfunduar me dënime. Në fund, Ymeri u akuzua për partneritetin me AAK-në se lista e përbashkët e tyre përfshin njerëz me aktakuza për korrupsion.

21:21

Ymeri: Dorëheqja e Haradinajt nënkupton çuarjen e PDK-së në opozitë

Visar Ymeri nga PSD-ja, tha se LDK-ja e PDK-ja po e pranojnë që janë bashkëfajtore për gjendjen e deritashme që e kanë sjellë Kosovën.

“LDK-PDK kanë qenë në bashkëqeverisje, e pranojnë dhe ia zbulojnë fajet njëra tjetrës. Këtu e kisha futur veçanërisht PDK-në”, tha ai.

Ymeri i ka thënë Hotit se marrëveshja që ka sjellë LDK-ja për asociacionin, e ka sjellë pushtetin e tretë, me 23 shkelje të Kushtetutës.

“Qeverisja me Isa Mustafën e kanë bërë edhe Thaçin president e Veselin kryeparlamentar, që tash po i kritikojnë, vet i kanë votuar”, tha ai.

Ymeri e ka mbrojtur Ramush Haradinajn për dorëheqjen nga posti i kryeministrit, duke aluduar se kjo nënkupton çuarjen e PDK-së në opozitë.

“Dorëheqja e Haradinajt nënkupton çuarjen e PDK-së në opozitë”, tha Ymeri, derisa Krasniqi i ka thënë se ajo quhet “dorëzim”.

21:17

Hoti e Krasniqi akuzojnë njëri-tjetrin se nuk i kanë liderët e pastër

Avdullah Hoti i LDK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së kanë akuzuar njëri-tjetrin se udhëhiqen nga kryetarë me të kaluar jo të pastër.

Sipas Hotit, Krasniqi udhëhiqet nga “regjisori i aferës Pronto”. Ai ka thënë se kandidati i PDK-së për kryeministër, kryetari i saj Kadri Veseli, ka larguar nga lista njerëzit me të kaluar kriminale, “por ka futur në listë djemtë e kushërinjtë e tyre”.

Në anën tjetër, Krasniqi i ka thënë Hotit se udhëhiqet nga Isa Mustafa, “që u jepte tenderë djemve të tij sa ishte kryeministër”.

“Ju i keni me aktakuza njerëzit e kryesisë, kryetarët e komunave. Në krye keni Isa Mustafën që u jepte tenderë djemve. Sivjet e kenë ndërruar veç kandidatin për kryeministër, tash është Vjosa Osmani, e herën e shkuar ishe ti, por shef mbetet Isa”, ka thënë Krasniqi.

Hoti në Rubikon ka thënë se LDK-ja prin në sondazhe me 7-8 për qind para partisë së dytë, duke shtuar se partia e Krasniqit do të luftojë për vendin e dytë. Këtu Krasniqi i është përgjigjur duke thënë se “sondazhet s’janë rezultat zgjedhor”.

“Më 2014, tre muaj para zgjedhjeve keni qenë me sondazhe para PDK-së, edhe në fund të 2013-s e deri pas 2014-s, por në zgjedhje keni humbur. Edhe tash s’e përjashtoj që mund të jeni para PDK-së, por në zgjedhje je i dyti”, ka shtuar ai.

21:05

Konjufca: Veseli është baba i korrupsionit

Glauk Konjufca nga Vetëvendosja ka akuzuar PSD-në e PDK-në. Ymerit, i ka thënë se janë ata që kanë ndryshuar sepse dikur kritikonin Haradinajn e tash e mbrojnë.

“Kam qenë gjithmonë Vetëvendosje, vi e flas gjithmonë këtu, por të vija në këtë emision në vitin 2012 e t’i them Visar Ymerit se pas disa vitesh do ta mbrosh Ramush Haradinaj, do t’më kishte gjuajtur me gotë. Nuk e di kush paska ndryshuar këtu”, tha ai duke iu drejtuar Ymerit.

Konjfuca thotë se VV-ja ka qenë gjithnjë konsistence.

Janë përplasur me Ymerin se “kush është më i djathtë e kush i majtë”.

“Kadri Veseli është njeri i nëntokës, si mund të qeverisë ai?”, pyeti Konjfuca.

Konjfuca tutje ia ka përmendur Krasniqit të PDK-së, disa skandale.

“Psh, këta s’e kanë pasur qeverisjen por e kanë pasur në krye të mekanizmit që është kryesori i Prokurorisë, Bahri Hyseni, e kishte postin më të madh të drejtësisë. Si mund të na shesë Veseli drejtësi”, tha ai, duke ia përmendur edhe rastin PRONTO.

“Ju i keni njerëzit kryesor në fryrjen e listës së veteranëve”, i ka thënë Konjfuca Krasniqit të PDK-së, duke shtuar se “Veseli është baba i korrupsionit”.

Memli Krasniqi disa herë i ka thënë Konjufcës, “mos e degrado debatin”, duke kërkuar të mos i hyjnë temave ku përmenden emra të përveçëm.

“Çka ka bërë PDK-ja me drejtësi është njëjtë sikur e ka pas qeverisjen e sikur jo”, tha ai.

Memli Krasniqi, ka thënë se Vetëvendosja ka ndryshuar në çdo aspekt, madje edhe programin qeverisës.

“Vetëvendosja as s’e do as s’e respekton Kosovën. Etja e tyre për pushtet do t’i pamundësojë për të qenë në qeveri. Gjithmonë do të mbesin në opozitë”, tha ai.

Krasniqi, i ka thënë Konjufcës se “Ti udhëhiqesh nga një njeri i dhunës, keni ndryshuar vetëm për t’i mashtruar qytetarët”.

20:59

Ymeri thotë se PDK-ja, LDK-ja e VV-ja janë të padenje për të qeverisur vendin

Visar Ymeri nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se secili subjekt politik, pos koalicionit që ai përfaqëson, në zgjedhjet e parakohshme për 6 tetor ka komponentë që e bën të padenjë për të qeverisur vendin.

Ai ka thënë se koalicioni AAK-PSD me bashkimin ka sjellë formë të re të politikëbëries në Kosovë teksa ka shtuar se asnjëra parti tjetër s’po tregohet e sinqertë me qytetarët gjatë fushatës, “duke iu shmangur temës së dialogut me Serbinë”.

“S’janë të sinqertë, sepse duhet t’u tregojmë sinqerisht çka e pret Kosovën. Të gjitha i dimë. Se cila do të jetë detyra e parë? Do të jetë ballafaqimi me Serbinë, por askush nuk flet, por flasin se do të luftojnë korrupsionin, por pse askush s’flet se çka do të bëjë me detyrën e parë. Ka komponente secila në vete që e bën të padenjë për të qeverisur me vendin”, ka thënë ai.

Për PDK-në dhe Kadri Veselin, Visar Ymeri ka thënë se ai ka lënë shumë për të dëshiruar në punën si kryetar i Kuvendit e se për punën si shef i SHIK-ut, “ka pas dakordancë gati shoqërore që duhet hetuar si organizatë”.

Ymeri tutje ka thënë se edhe LDK-ja nuk është e denjë për të qeverisur me vendin tash. Kjo ka thënë sepse LDK-ja “në rrugën deri në zgjedhje ka hyrë në shumë kompromise të brendshme”. Këtu ka përmendur se Isa Mustafa u zgjodh kryetar i partisë e Vjosa Osmani kandidate për kryeministre për të “parandaluar ndarjet e përçarjet”.

Për ish-partinë e tij, VV-në, Ymeri ka thënë se është transformuar shumë dhe më s’e njohin as mbështetësit e vet.

“Në fund kemi VV-në që konsideroj se s’është VV. Aq shumë është transformuar politikisht dhe konceptualisht sa them se as mbështetësit e VV-së s’e njohin më. Madje ka rrezik që as anëtarët s’e njohin. Për shembull ke njerëz në VV që dalin si përfaqësues në debate, si subjekt socialdemokrat, e thonë janë të djathtë. Ata janë njerëzit kryesorë për ekonomi. Transformimi është në rregull, por mendoj se duhet të pranohet se ‘kemi ndryshuar e s’jemi ata që kemi qenë e po dalim me ofertë të re e koncept të ri me fytyra të vjetra’. Të thuhet që jemi VV e të mos jemi me program VV, është mashtrimi që po u bëhet qytetarëve. Qytetarët e mbështesin VV-në për atë që ka qenë”, ka thënë ai.

20:46

Hoti: Në PDK vendimet s’i merr Veseli, aty ka tjetër president

Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka kritikuar Memli Krasniqin e PDK-së, se po kritikon të tjerët vetëm për t’u treguar vet të mirë.

“Është fushatë e keqe e juaja kur provon të shash kundërshtarët e të fitosh vet. Përkundër, ti tregohesh i mirë para qytetarëve kur tregon cilësitë e tua. Por, kështu ju s’do të fitoni”, tha ai në Rubikon.

Hoti tha se në PDK vendimet s’i merr Kadri Veseli, sipas tij, “aty është një president tjetër, Veseli është vetëm përques i vendimeve të tij”.

“Për dallim nga LDK-ja që aty i marrim vet ne, s’konstruktohemi nga askush. Vjosa Osmani i çon përpara vendimet që merren brenda partisë”, tha ai.

Hoti tha se në LDK, asnjëherë asnjë ministër s’ka pasur aktakuzë.

“Kemi pasë para shumë vitesh një ministër e ai brenda ditës ka dhënë dorëheqje. Në qeveritë që ishte deri tash pati më shumë se pesë”, tha ai.

Hoti i është drejtuar Krasniqit duke thënë se “po distancoheni nga korrupsioni, e në parti keni individë me aktakuza”.

Sipas Avdullah Hotit, gjatë mandatit të PAN-it në krye me kryeparlamentarin Kadri Veseli, në çdo seancë ka pasë vetëm shtyrje e dështime.

20:30

Krasniqi: PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet

Memli Krasniqi nga PDK-ja është shprehur i bindur se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai tha se votuesit e kanë të qartë se çfarë është arritur kur me qeverinë ka udhëhequr PDK-ja e kur kjo parti ua ka lënë udhëheqjen partive tjera partnere – LDK-së e AAK-së.

“PDK do t’i fitojë këto zgjedhje. Nga viti 2014 kemi qenë në qeveri, por partnerët tjerë kanë udhëhequr. Njëherë me Isa Mustafën e LDK-së e më pas me Ramush Haradinajn e AAK-së. Votuesit mund të bëjnë dallimin për arritjet kur PDK-ja ka qeverisur vet dhe në periudhat kur s’ka qeverisur. Nëse duhet të bëjmë dallimin mes kandidatëve në këtë garë për kryeministër, dallimi është si nata me ditë. Vjosa Osmani është e mirë, por ajo është e varur nga Isa Mustafa, Agim Veliu apo Lutfi Haziri. Fakti që ajo s’mund t’i emërojë ministrat vet, tregon se ajo është e varur nga Mustafa e të tjerët. Pastaj e kemi Albin Kurtin i cili ka evoluuar shumë. Ka ndryshuar jo vetëm dukjen, por edhe fjalët. Nga pseudopatrioti për bashkim kombëtar, tash thotë se s’varet prej meje”, u shpreh Krasniqi ndër të tjera në Rubikon.

Krasniqi thotë se s’mund të jetë kryeministër një njeri që s’ka mundur t’i mbajë bashkë disa parti.

“Kemi Ramush Haradinajn që e kemi pasë kryeministër dhe ai sjelli distabilitet. Në momentin kur Haradinaj e lëshoi detyrën prej obligimeve që ne ia kemi dhënë, pa dyshim që s’merr më mbështetje. Fatmir Limaj, përkundër mundësisë që ai do të mund të kishte një pozicion, ai ka dallim. Veseli, ka strukturën më të konsoliduar, është njeri që ka vendosmëri”, tha ai tutje.

Mbi të gjitha, thotë Krasniqi, “atë që e thotë Veseli e realizon”.

Image
20:23

Pse sipas Konjufcës duhet votuar Vetëvendosja dhe pse qeveritë e deritashme janë ‘skandaloze’

Sonte në Rubikon të KTV-së, po ballafaqohen Memli Krasniqi nga PDK, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdullah Hoti i LDK-së dhe Visar Ymeri i PSD-së.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosja, ka thënë se janë disa arsye pse duhet votuar Vetëvendosja, e jo partitë tjera në garë.

Ai tha se çdo përfundim që VV-ja del e para në zgjedhje është e pritshme, dhe për këtë sipas tij, janë disa arsye.

“E para sepse ka të bëjë me qeverisje të deritashme, çka ka parë qytetari deri tash. Këto qeverisjet e fundit patën skandale të mëdha, sidomos në sektorin e drejtësisë. Nëse shikohet gjendja në arsim, sidomos në testet e fundit Kosova del shumë keq, e fundit në Evropë. Nuk e di çka flasin qeverisjet e deritashme. Qeveria Haradinaj është e gjashta dhe ende s’janë sigurimet shëndetësore. Kjo mjafton për qytetarin për të mos ua dhënë votën atyre, por Vetëvendosjes”, tha ai, duke shtuar se Vetëvendosja premtimet i mban, ashtu siç ka bërë deri sot.

Ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, duke e përçmuar politikën e Jashtme të Kosovës.

“Edhe në çdo fushë tjetër, në Politikën e Jashtme, dialogun me Serbinë, se cilat masa janë marrë deri sot vijmë në përfundim se s’është marrë asnjë vendim por vetëm skandale”, tha ai.

Image