21:30

Hoxhaj: Të mos reduktohet politika e jashtme në taksë

Enver Hoxhaj i PDK-së ka thënë se Kosova s’duhet ta reduktojë politikën e jashtme vetëm në taksën ndaj mallrave serbe.

Sipas tij, taksa ishte menduar vetëm si masë e përkohshme.

“Ideja bazike dhe pritja bazike ka qenë që të ndalet një kampanjë agresive të Serbisë ndaj Kosovës, por si masë ka qenë e përkohshme. Tarifat e tilla janë gjithherë të përkohshme”, ka thënë ai.

I pyetur rreth qëndrimit të kryeministrit në largim Ramush Haradinaj se taksa hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën, Hoxhaj ka thënë se “po të ishte ashtu do ta vendosnim taksën një ditë pas shpalljes së pavarësisë, s’kishim bërë gjë tjetër e kishim pritur që Serbia ta njohë Kosovën”.

“S’mendoj se duhet ta reduktojmë dialogun në taksë, politikën e jashtme në taksë, por këtij vendi i duhet mendim i plotë strategjik për fazën ku po hyjmë rreth asaj çka presim nga dialogu. E shoh 2019-2020 si një mundësi historike për arritjen e marrëveshjes. Andaj kërkojmë përkrahjen e qytetarëve. PDK-ja ka kredibilitet për këtë. Taksa ishte mjet, jo qëllimi. Kur kemi marrë vendim për taksën kishim dy dokumente një ishte për taksën, një për reciprocitetin. Një qeveri e ardhshme duhet të bëjë përpjekje serioze, ata që do të udhëheqin qeverinë PDK-ja dhe partnerët e rinj, me opozitën, me unitet politik aq sa mund të arrihet, me mbështetjen e opinionit, ta ngrisim flamurin në OKB. S’mund të humbim kohë, sikur sivjet që mjerisht e kemi bë të gjithë se kush e vendosi taksën, e kush e ka meritën për taksën”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, sipas Bedri Hamzës, importet që u ndalën nga Serbia u zhvendosën në shtetet tjera.

Ai ka përsëritur qëndrimin e PDK-së për pezullimin e përkohshëm të taksës.

“Politikisht e kemi thënë, kemi ofruar dokument, duhet t’i ekuilibrojmë ndikimet e taksës në relacionet me Serbinë, por edhe në kontekst më të gjerë me partnerët strategjikë. Deri këtu kemi ardhur me Amerikën dhe BE-në, e sigurisht për ne janë jashtëzakonisht të vlefshme relacionet me ta. Dhe ne kemi propozuar edhe atëherë suspendimin e taksës për një periudhë të caktuar kohore, që të ketë progres në normalizimin në marrëdhëniet tona e mbi bazën e këtyre zhvillimeve sërish kemi masat në dispozicion, duke e përfshi edhe reciprocitetin”, ka shtuar ai.

20:54

Shala shpjegon programin e PDK-së për të rinjtë

Sabiha Shala e PDK-së ka thënë se programi i PDK-së është i fokusuar për mbështetjen e të rinjve.

Ajo ka thënë se në program të PDK-së parashihet edhe pagesa e studentëve për punë praktike.

“5000 të rinj me pagesë 100 euro, simbolike. Programi i praktikës do të integrohet në atë të studimeve. Kudo që kemi mundësi varësisht nga programet e studimeve, shteti negocion e alokon buxhet për mbështetjen e praktikantëve. Sigurohen lehtësira”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në program parashihet edhe Fondi i Inovacionit që “do të financojë idetë inovative e trajnimet e ndryshme”.

“Po ashtu, bizneset që punësojnë të rinjtë do të kenë lirime të tjera nga tatimet për disa vite, apo pagesat për tatimet pensionale. Do të ketë përfitime për të rinjtë. Është garantuar edhe fond për studentët që studiojnë jashtë, do të kenë kusht të kthehen. Është buxhet i madh, për master e doktoraturë, që ata të kthehen të punojnë e këtu të kemi staf me përvoja të mira nga jashtë”, ka shtuar ajo.

20:43

Hamza: Kosovës i duhet rritje ekonomike në nivel tjetër

Sipas Bedri Hamzës së PDK-së, rritja ekonomike në Kosovë është për t’u vlerësuar, por për t’i adresuar sfidat kryesore, Kosovës i duhet rritje ekonomike në nivel tjetër.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se në programin e PDK-së parashihet se kjo mund të rritet deri në 7 për qind.

“Për t’i adresuar sfidat kryesore ekonomike, Kosova ka nevojë që rritja ekonomike të arrijë në nivel tjetër. Në programin tonë kemi thënë se mund të arrijë deri në 7 në suaza të disa supozimeve”, ka thënë ai.

Kjo rritje sipas tij do të bëhet si rezultat i investimeve publike dhe private, konsumit e eksportit.

Sipas tij, investimet në gazsjellës, Brezovicë, investime në hekurudhë, vendosjen e TVSH-së në brendi, dhe lirimet në tatime të caktuara do të jenë prioritet në kuadër të zhvillimit ekonomik.

Ai ka thënë se do të ketë edhe rritje të Fondit për Garantim të Kredive, në 100 milionë euro, ku fokusi do të jetë për gjeneratat e reja.

“Gjenerata e re ka problem tërheqjen e kredive sepse s’ka hipotekë e historik bankar. Fondi do të marrë përsipër një pjesë risku”, ka thënë ai.

“Rritja ekonomike deri në 7 për qind, kalkulohet saktësisht nga ekonomistët. Nëse ndodhin këto zhvillime e dinë saktë ekonomistët cila do të jetë rritja, por nëse s’ndodhin investimet e planifikuara, normalisht që mund të ketë ndryshime. Për papunësinë në sektorin privat ka pasur lëvizje në vit 10-11 mijë vende të reja pune. Në atë publik janë nga 82-83 mijë punëtorë. Rritja ekonomike kur kalon në nivel tjetër mundëson të zvogëlohet numri i të papunëve ekzistues. Të gjitha kalkulimet qojnë në një rritje 6-7 për qind sjell në uljen e papunësisë”, ka shtuar ai.

Hamza ka thënë se po ashtu do të ketë rritje të pensioneve.

20:32

Hoxhaj: Në qeverisjen e PDK-së s’do të ketë njerëz me aktakuza

Enver Hoxhaj i PDK-së ka thënë se nëse kjo parti merr qeverisjen e vendit, nuk do të ketë asnjë zyrtar me aktakuza për korrupsion.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se “ky standard i vënë nga PDK-ja, vlen edhe për partnerët e koalicionit”.

“S’do të ketë njerëz me aktakuza në qeveri. Standardin që e kemi vënë brenda PDK-së me listë, dhe standardi që ka vënë kryetari e kryeministri Veseli me shembuj konkretë, standardi vlen për PDK-në, por edhe partnerët e koalicionit”, ka thënë ai.

20:22

Shala: Duhet të rishikojmë të gjitha ligjet për të eliminuar hapësirat që lejojnë korrupsion

Image

Sabiha Shala e PDK-së ka thënë se, nëse kjo parti fiton zgjedhjet e 6 tetorit dhe merr qeverisjen e vendit, në kuadër të prioritetit për luftimin e korrupsionit duhet të rishikojë të gjitha ligjet për të eliminuar hapësirat përmes së cilave mundësohen veprime korruptive.

Sipas saj, PDK-ja ka qenë e vetmja që ka pasur vullnetin të luftojë korrupsionin, duke u bazuar në listën me kandidatë pa aktakuza.

“Vetëm ne kemi pas vullnetin të luftojmë veprimet e tilla. Kjo është pse Kadri Veseli e ka vënë prioritet të prioriteteve. Mendoj se duhet t’i besohet sepse vetëm po përmendim listat, me kandidatë të rinj e profesionalë. Do të jetë qeveri me njerëz të përgatitur e profesionalë. Qeveria që po vjen me profesionalizëm do të rishikojë ligjet, po flasim për ligjin për korrupsion, por do të hartojmë legjislacion që s’lejon veprime korruptive në asnjë sektor. Duhet të reflektojmë, të shikojmë edhe njëherë ligjet e të shohim çdo ligj ku ka hapësirë që lejon korrupsion, t’i eliminojmë me profesionalizëm”, ka thënë ajo.

20:18

Hamza: Përkrahja financiare e sektorit të zbatimit të ligjit nuk paraqet rrezik për buxhetin

Image

Ministri në largim i Financave, Bedri Hamza nga PDK-ja, ka thënë se duhet të ndodhë procesi i vetingut në polici e drejtësi e të bëhet konfiskimi i pasurisë.

Ai thotë se këto janë masa shtesë në raport me gjendjen aktuale në sistemin e drejtësisë.

“Përtej kësaj, ne jemi të interesuar që ne të krijojmë kushte për organet zbatuese të ligjit, duke përfshirë buxhetin, legjislacionin e mirë, rritjen e numrit të prokurorëve e gjyqtarëve e kushte më të mira për punë, sikurse edhe mbrojtje e siguri për punë. Përkrahja e sektorit të zbatimit të ligjit nuk paraqet rrezik për buxhetin. Jemi të interesuar të rrisim numrin e prokurorëve e gjyqtarëve në mënyrë që të ulim numrin e lëndëve. Ne do të presim nga Këshilli Gjyqësor që të bëjë kërkesë për numrin e gjyqtarëve. Do t’i përkrahim sistemin e drejtësisë me buxhet shtesë, e me përkrahje shtesë, si dhe pavarësi të plotë në punën e tyre”, tha Hamza në Rubikon të KTV-së me temën “Pse të votohet PDK-ja?”.

20:14

Hoxhaj: Vendosmëria e Veselit për të luftuar korrupsionit, në përputhje me pritjet që i ka Kosova

Image

Sipas Enver Hoxhajt të PDK-së, caktimi i luftës ndaj korrupsionit si prioritet për qeverisjen e ardhshme nëse PDK-ja fiton zgjedhjet e 6 tetorit, është në përputhje me pritjet që ka Kosova.

“Mbi të gjitha është prioritet i lartë dhe ka vullnet e vendosmëri tjetër brendapërbrenda PDK-së. Kryetari Kadri Veseli, edhe para se të jetë i mandatuar, në dy vjetët e fundit, kemi pasur debat brenda partisë se cilat janë në të vërtetë prioritetet që duhet të ketë. Vendosmëria e tij shërbeu fillimisht për PDK-në si standard të brendshëm e pastaj të jashtëm sepse për herë të parë kemi listë me njerëz pa aktakuza. Efekti i parë i vendosmërisë është përbërja e listës. Vullnet politik ka pas çdo herë, vendosmëri politike çdo herë, por kësaj here është vendosmëri për të bërë prerje, për të dhënë shembull. Vendosmëria e kryetarit Veseli dhe kryeministrit Veseli bien në përputhje me pritjet që i ka Kosova. Nëse e shohim jo vetëm perceptimin publik në Kosovë, por edhe Raportin për Kosovën të BE-së, pothuajse 70 për qind e shqetësimit të këtij raporti është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur, me vullnetin politik, me vendosmërinë politike që të marrim masa, hapa konkretë që diçka e tillë t’i takojë të kaluarës”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për hapat konkretë, Hoxhaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se hapi i parë ishte lista pa kandidatë me aktakuza dhe largimi i zyrtarëve me aktakuza nga pozicionet e larta.