19:57

Edhe LDK-ja shpall fitoren

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.

Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ka thënë se sipas rezultateve të kësaj partie nga ekipet në qendrat e votimit, ka një dallim ndaj VV-së si parti e dytë, por duke mos theksuar sa.

“Sipas rezultateve që kemi marrë nga qendrat e votimit, jemi fitues të zgjedhjeve. Parti e parë në mbështetje të qytetarëve dhe jemi të lumtur që si bllok opozitare kemi shënuar rezultat të thellë. Kemi një përparësi, një udhëheqje ndaj VV-së si parti e dytë. Presim deri në 21:30 të shohim dallimin”, ka thënë ai.

Para LDK-së, edhe PDK-ja ka shpallur veten fituese, ndërsa Vetëvendosje teksa ka thënë se sipas rezultateve të veta është fituese, ka shtuar se po pret rezultatet zyrtare.

Për koalicionet e mundshme paszgjedhore, Haziri ka refuzuar të flasë për ndonjë parti të caktuar teksa ka theksuar se “me atë që kemi thënë jo, mbetet sigurisht jo”, duke iu referuar PDK-së.

19:27

LDK: Rezultatet tona na nxjerrin si parti të parë

Lumir Abdixhiku i LDK-së ka thënë se. sipas rezultateve të para të bëra nga ekipet e kësaj partie në terren, e kanë nxjerrë fituese LDK-në në zgjedhjet e sotme.

“Gjatë gjithë ditës kemi marrë informacionet për një rrjedhë të mirë të procesit. Jemi të kënaqur për mënyrën si ka shkuar. Pas mbylljes së qendrave të votimit, rezultatet e para që po marrim janë mjaft inkurajuese. Ato e nxjerrin LDK-në si fituese.Kemi parasysh edhe matjet e exit-polleve, por rezultatet tona janë mjaft konfirmuese për fitoren tonë”, ka thënë ai.

I pyetur pse akoma s’ka nisur festë akoma në LDK, Abdixhiku ka thënë se po presin rezultatet zyrtare.