Haxhiu thotë se sovrani ndëshkoi ata që dëmtuan vendin

Haxhiu: Do të zëvendësojmë tarifën ndaj Serbisë me reciprocitet

07 October 2019 20:27
20:52

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kjo parti do të zëvendësojë tarifën ndaj mallrave serbe me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Ajo ka thënë se me Serbinë në dialog s’do të lejojnë asnjëherë të flitet për çështjet e brendshme të Kosovës.

“Për tarifën kemi thënë edhe para zgjedhjeve. Ne do ta zëvendësojmë tarifën me reciprocitet politik, ekonomik, e tregtar”, ka thënë ajo për KTV-në.

Sipas Haxhiut, pas numërimit të të gjitha votave, VV synon të arrijë në 34-35 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se Lista Serbe s’do të jetë pjesë e Qeverisë.

“Lista Serbe do të mbetet në opozitë. Ishte presion i madh në qytetarët serbë. E dimë këtë. Është interes i të gjithëve që të integrohen qytetarët serbë”, ka thënë ajo duke shtuar se do të bashkëpunojnë me politikanë serbë që njohin Kosovën si shtet.

Haxhiu, ka thënë se brenda partisë ende nuk është vendosur asgjë sa i përket kabinetit qeverisës.

Ndërkaq duke folur për pozitën e kryeparlamentarit, ajo ka thënë se i takon Vetëvendosjes, ndonëse nuk dihet ende se kush do ta marrë këtë pozitë.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese detyra e kryetarit të parlamentit i takon Vetëvendosjes. Ne ende nuk e kemi caktuar por është çështje e brendshme”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se nëse do të varej nga ta, do ta shkarkonin presidentin Hashim Thaçi.

“Nëse do të ishte e mundur proceduralisht ne do ta bënim. Do të ishte mirë që të dorëhiqej por nuk duket që do të ndodhë. Por roli i presidentit më shumë është për të shpërndarë dekorata. Ai mund t’i kthejë ligjet e kuvendit por kjo nuk mund të ndodhë nëse ka pajtim të deputetëve”, ka thënë ajo.

Sa i përket AKI-së, Haxhiu ka thënë se duhet veting.

20:35

Haxhiu: LDK-ja nëse vë kushte për koalicion e dëmton veç veten

Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes ka thënë se LDK-ja nuk duhet të vë kushte për një koalicion paszgjedhor me Vetëvendosjen, pasi kjo “do të dëmtonte LDK-në e jo VV-në”.

Duke parë rezultatet e deritashme, me më shumë se 98 për qind të votave të numëruara, koalicioni VV-LDK duket i pashmangshëm.

Ajo ka thënë se LDK-ja si e dyta nuk duhet të vë kushte duke kërkuar postin e kryeministrit.

“Për shkak se është e rëndësishme të kemi koalicion, mendoj që s’duhet të presim gjatë që të diskutojmë. Kurdo që të certifikohen rezultatet, por jemi të interesuar që të kemi takime me përfaqësues të LDK-së. E kemi bërë të qartë para zgjedhjeve që partner të parë e shohim LDK-në. Siç po duken rezultatet vështirë se mund të llogarisim në të tjerët.

I kemi bërë ofertë edhe para zgjedhjeve, e kemi bërë kompromise duke u ofruar numrin një. Do ta kenë ofertën nga VV-ja. S’kemi diskutuar konkretisht, por disponimi në VV është që sa më parë, pavarësisht certifikimit, të flasim të takohemi e të diskutojmë në detaje të gjitha çështjet. Çfarëdo kushti i LDK-së në këtë rast kur e ka parë preferencën e qytetarëve do të ishte goditje për ata, jo për VV-në. Qytetarët e treguan preferencën”, ka thënë ajo për KTV-në.

Haxhiu e ka quajtur lajm të jashtëzakonshëm fitoren e opozitës së deritashme dhe dërgimin e PDK-së në opozitë.

“Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt kemi thënë që opozita e atëhershme duhet të bëhet qeverisja e ardhshme. Doli kështu. Qytetarët i dhanë goditje qeverisë së kaluar e mbështetën fuqishëm VV-në e LDK-në. 50 për qind të votave janë për opozitën që është jashtëzakonisht pozitive, e sidomos kur e çuan PDK-në në opozitë. Është lajm i jashtëzakonshëm. S’kanë alternativë tjetër, pos opozitës, sepse e dinë që VV-ja në asnjë rrethanë s’do të bashkëqeverisje me ta. S’besoj që LDK-ja do të vendosë kushte. Është interes i tyre që të bëhet qeverisje nga opozita e atëhershme”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka deklaruar se pret që qeveria e ardhshme të ketë maksimumi 13 ministri.

“S’besojmë që Kosova me 2 milionë banorë ka nevojë për më shumë se 12 apo maksimumi 13 ministri. Ia kemi propozuar edhe LDK-së kur i propozuam koalicion parazgjedhor. Ka qenë edhe premtim i tyre elektoral e s’besoj se do të ketë pengesa në këtë drejtim”, ka shtuar më tej Haxhiu.

20:27

Haxhiu thotë se sovrani ndëshkoi ata që dëmtuan vendin

Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas shumë takimeve me qytetarë gjatë fushatës, dje ka folur sovrani.

Ajo ka thënë se qytetarët i kanë dhënë goditje dhe kanë ndëshkuar subjektet politike që e kanë dëmtuar vendin për vite me radhë.

Haxhiu ka thënë se qytetarët kanë vlerësuar se Vetëvendosje duhet të qeverisë me vendin.

“Ne presim që të numërohen votat me kusht, votat e mërgatës të cilat sipas informacioneve ato janë duke u verifikuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qytetarët e kanë vlerësuar punën e Lëvizjes, derisa ka shtuar se nuk është punë vetëm e një muaji por e 14 vjetëve të aktivitetit politik.

“I gjithë përkushtimi jonë 14 vjeçar dhe puna e aktivistëve të Vetëvendosjes, ekipi i kandidatëve për deputetë, kandidati për kryeministër, e shumë gjera tjera kanë bërë qe ne të fitojmë. Kosova ka shumë sfida dhe ne duhet t’i përvjelim mëngët. Ajo çka presin qytetarët është që t’i jetësojmë premtimet. Ne nuk do të jemi arrogant me opozitën dhe do të respektojmë republikën parlamentare”, ka thënë ajo duke shtuar se me qeverisjen Vetëvendosje, do të respektohet përfaqësuesi i popullit.

Haxhiu ka thënë se që nga viti 2010 nuk ka pasur garë më interesante se sa zgjedhjet e djeshme.

Secila votë e qytetarëve ka qenë e rëndësishme, ka thënë Haxhiu ndër të tjera.

Duke folur për deklaratat e Dardan Molliqajt të PSD-së ajo ka thënë “Ku ka mbet ai se s’po dihet ku ka mbetur, tha që do të jap dorëheqje prej politikës nëse VV i merr 12 deputetë”ka thënë Haxhiu.

“Ka qenë një moment kur LDK ka dalë para nesh, dhe pas disa ditësh ai rezultat u përmbys. Ka pasur pjesëmarrje të të rinjve shumë. Në tubime tona ka pasur vajza dhe gra shumë. Ka qenë e qartë se kur flitet për ndryshim kjo nënkupton Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme