Ndryshimet, produkt i votës së ndëshkimit Foto: Driton Paçarada / Koha

Ndryshimet, produkt i votës së ndëshkimit

Besnik Krasniqi 08 October 2019 06:49

Ndryshimi i vendosur me votën e 6 tetorit është produkt edhe i votës së zhgënjimit e ndëshkimit, kanë gjykuar të hënën politologë e sociologë. Megjithëkëtë, ky zhvillim është parë edhe si rezultat i ndryshimeve ciklike në politikë, shkruan sot Koha Ditore.

Mbështetur në rezultatin preliminar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka dhënë për zgjedhjet e parakohshme të një dite më parë, opozita udhëheq bindshëm. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me 25.6 për qind, diku 5.500 vota më shumë se Lidhja Demokratike (LDK), e cila ka 24.9 për qind. Dallimi pritet të thellohet, meqë LVV-ja tradicionalisht e ka fituar shumicën e votave të diasporës, të cilat akoma nuk janë numëruar.

Ndërkaq, pushteti i deritashëm ka pësuar rënie. Partia Demokratike (PDK) për herë të parë që nga 2007-a e ka humbur primatin. Madje, vota e ka zhvendosur në subjekt të tretë. Të dhënat preliminare tregojnë se ka vetëm 21.1 për qind të votave. Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbërriti vetëm në 11.5 për qind, ani se ndodhej në koalicion me Partinë Socialdemokrate (PSD), në të cilën prej gati dy vjetësh zhvillojnë aktivitet 12 deputetë që e braktisën LVV-në. Pësimin më të madh e përjetuan dy partitë e tjera që ishin në pushtet, Nisma Socialdemokrate (Nisma) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), të cilat, ndonëse garës i hynë bashkë, nuk mundën ta kalojnë pragun prej 5 për qind të votave.

Bekim Baliqi është profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai ka folur për një varg arsyesh që quan në këtë rezultat zgjedhor, marrë parasysh që në gjysmëmandatin që tash është në përfundim, ka pasur një qeveri që është krijuar pa ndonjë program të qartë qeverisës dhe me shumë partnerë koalicioni e skandale të vazhdueshme.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

 

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme