Ambasadori britanik lavdëron organizimin e zgjedhjeve, i brengosur për kërcënimet ndër serbë Foto: Driton Paçarada / Koha

Ambasadori britanik lavdëron organizimin e zgjedhjeve, i brengosur për kërcënimet ndër serbë

08 October 2019 15:36

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka lavdëruar procesin zgjedhor në Kosovë duke thënë se organizimi ishte i mirë dhe se kjo tregon se demokracia në Kosovë po rritet.

Në një postim në Facebook, Abbott ka thënë se ishte mirë që rezultatet publikoheshin shpejtë në uebfaqen e KQZ-së.

“Kosova ka mbajtur të dielën zgjedhje parlamentare të qeta dhe të organizuara mirë. Kjo tregon se demokracia në Kosovë është duke u rritur. Unë përgëzoj dedikimin dhe profesionalizmin e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, të cilin e kanë vërejtur edhe vëzhguesit e Ambasadës Britanike kudo në vend. Ishte shumë mirë të shihje rezultatet paraprake të publikoheshin me aq shpejtësi në ueb faqen e KQZ-së, që bëri procesin të jetë edhe më transparent”, ka shkruar ai.

Ambasadori britanik ka thënë se është i brengosur me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës, të banuara me popullatë serbe.

“E mirëpres deklaratën e sotme të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, dhe ndaj mendimin se zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë. Por jam i brengosur me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës të banuara me popullatë serbe”, ka thënë ai.

Abbott ka thënë tutje se mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re, për të cilën ka thënë se rezultati ishte i qartë se “Kosova ka votuar për ndryshim”.

“Rezultatet janë të qarta. Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re”, ka thënë ai.

Pas numërimit të votave të rregullta, Vetëvendosje është e para me LDK-në që është e dyta. PDK, koalicioni AAK-PSD, janë në vend të tretë dhe të katërt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme