Lista Serbe thotë se nuk mund të bëhet qeveria pa ta, analistët nuk e shohin si problem

Valbona Bytyqi 08 October 2019 19:10

Në Qeverinë e udhëhequr nga kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, do të ketë vend edhe për serbë.

Mirëpo, të njëjtit nuk do të jenë nga Lista Serbe.

Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Lista Serbe do të jetë në opozitë, raporton KTV.

Mirëpo, formimin e Qeverisë pa Listën Serbe e sheh të pamundur nënkryetari i kësaj partie.

“Kushtetuta, në nenin 96 thotë që një përfaqësues i serbëve në Qeverinë e Kosovës do të zgjidhet nga shumica e përfaqësuesve të këtij komuniteti në Kuvendin e Kosovës. Këtu nuk ka asnjë debat. Ajo që ka thënë Kurti se do ta marrë nuk e di cilin serb, do të ishte sikur ne të themi se nuk e duam Kurtin për kryeministër, por do ta marrim dikë tjetër. Kjo thjesht është e pamundur”, ka thënë Dalibor Jevtiq, nënkryetar i Listës Serbe.

Ndonëse thotë se formimi i Qeverisë pa Listën Serbe është i mundur, Mazllum Baraliu shton se mandatari i ri duhet të kërkojë nga kjo parti propozim për një përfaqësues në Qeveri.

Përfaqësimi i serbëve në ekzekutiv është i rregulluar edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë në nenin 96 të saj, pika pesë, thuhet se “Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit,të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se e përfaqësojnë komunitetin në fjalë”.

Por, mospërkrahja e propozimit të udhëheqësit të Qeverisë nga deputetët serbë, sipas Baraliut, nuk ndikon në legjitimitetin e ministrit të emëruar.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lista Serbe i ka marrë 52 mijë e 620 vota apo 6.61%, derisa partitë e tjera serbe nuk e kanë arritur as 1 për qind të votave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme