Rezultatet finale të zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të shpallen 1 muaj e 1 ditë pas mbajtjes së tyre

Valbona Bytyqi 06 November 2019 19:06

Mundësia e subjekteve politike për të bërë ankesë lidhur me administrimin e numërimit, mund të shtyjë shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shpallja e tyre mund të bëhet të enjten, vetëm nëse asnjë prej subjekteve politike nuk ankohet për numërimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor që merret me ankesa dhe parashtresa, ka bërë të ditur se deri pasditen e së mërkurës nuk kanë pranuar ndonjë ankesë, duke shtuar se për këtë çështje subjektet politike kanë kohë deri në mesnatë.

Në anën tjetër, koalicioni Nisma-AKR-PD, pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga diaspora, ka ripërsëritur se do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë.

Të pyetur nëse do të ankohen për procesin e numërimit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kandidati për deputet, Endrit Shala, ka thënë se ky koalicion do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore dhe ato kushtetuese në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, atyre me kusht, votave të ardhura nga diaspora me kohë, e edhe të atyre me vonesë, Nisma dhe koalicioni ynë ka marrë mbi 42 mijë vota apo 5.02% të votave. Tendencat e dikujt brenda KQZ-së apo të kujtdo tjetër që, përmes disa zarfeve me kinse vota, e të cilat janë të kontrabanduara nga Serbia, të minohet rezultati i dalë nga vullneti i mbi 840 mijë votuesve brenda dhe jashtë Kosovës, janë të papranueshme për ne! Nisma Socialdemokrate dhe koalicioni ynë do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore dhe ato kushtetuese në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019”, ka thënë Nisma.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe shqyrtimit të ankesave eventuale, Komisionit Qendror Zgjedhor i hapet rruga për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme