Zgjedhjet 2019

Shumë ministra mbetën jashtë Kuvendit, më i dobëti doli Mustafa

Shumë ministra mbetën jashtë Kuvendit, më i dobëti doli Mustafa

Një numër i madh i ministrave dhe zëvendëskryeministrave të Qeverisë Haradinaj nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e shtatë.

Vetëm një nga katër zëvendëskryeministrat shqiptarë ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. Enver Hoxhaj i PDK-së ka marrë 11157 vota, që i mjaftuan të dilte i dhjeti në listën e deputetëve të kësaj partie. Edhe pse kishte më shumë vota se Hoxhaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk ka arritur të bëhet deputet për shkak se koalicioni Nisma-AKR-PD s’ka kaluar pragun për t’u bërë subjekt parlamentar. Limaj ka marrë 26014 vota si kandidat për kryeministër nga ky koalicion. Numri dy i këtij koalicioni, Behgjet Pacolli, që ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, po ashtu do të mbetet jashtë Kuvendit. Ai ka marrë 10525 vota. Zëvendëskryeministri i katërt dhe ministri në largim i Diasporës, Dardan Gashi, nuk ishte pjesë e asnjë liste të kandidatëve për deputet.