Sejdiu thotë se nuk u befasua nga rezultati i Vetëvendosjes, por nga ai i PSD-së

07 November 2019 23:40
00:11

ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate tashmë i dorëhequr, Dardan Sejdiu, ka thënë se ishte e pritshme fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, dilema e vetme ishte a do të jetë fituese LDK-ja apo Vetëvendosje.

“Fitues të zgjedhjeve janë të dyja bashkë. Nëse nuk do të ishte ai lloj i polarizimit besoj që nuk do të dilnin me këta numra. Është përgjegjësi e tyre që të qeverisin me vendin. Nuk ishte befasues rezultati i Vetëvendosjes por ai i PSD-së”, ka thënë ai.

Ai tutje shton se kur je kryeministër, përgjegjësia është të marrësh në dorë çështjet e hapura të vendit.

I pyetur se a mbështet idenë e reciprocitetit, ai thotë se duhet ta shohin se si duket ky reciprocitet.

“Kurti është jashtëzakonisht i mirë në prezantimin e platformës, ai ka një oratori të shkëlqyer. Dua të shoh se si Kurti ‘do t’i vendosë paratë aty ku i ka fjalët’ sepse reciprociteti nuk është vetëm politik, nuk është vetëm për një temë. Haradinaj nuk është se e kishte keq me taksën, sepse kjo e bllokoi Hashim Thaçin për të mos hyrë në temat për shkëmbim. Kjo e bllokoi dialogun dhe me këtë u shpërfaq për çka po flasin. Sot Haradinaj e dorëzon Kosovën më mirë se sa e ka marrë dhe besoj që Kurti do ta vazhdojë”, ka thënë ai

Duke folur për rezultatin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai ka thënë se në dy vitet e ardhshme Ahmeti atë mesazh që ia kanë dhënë qytetarët do ta ndërtojë me punë.

I pyetur se cili do të jetë kontributi deputetes së vetme të zgjedhur nga kjo parti, Natyra Kuçi, ai ka thënë se ai i vetëm në komisione parlamentare kishte shtyrë përpara shumë ligje, derisa thotë se edhe ajo mund ta bëjë të njëjtën.

“Nëse e përcjellim këtë logjikë, atëherë i bie se nuk mund të formohet asnjë subjekt politik që nuk përfaqësohet në Kuvend. Ne kemi një deputet, dy komuna që qeverisim dhe njerëz gjithandej që ta shpërndajmë konceptin e Socialdemokracisë”, ka thënë ai.

Duke folur për opozitën e cila pritet të jetë në këtë legjislaturë, ai thotë se nuk i ka parë asnjëherë në këtë kënd të dyja bashkë PDK-në e AAK-në.

Sipas tij, nuk është fare lehtë që të bëhet opozita, ngase të dyja partitë që pretendojnë të vijnë në pushtet kanë njerëz shumë të mirë.

“Unë do të kisha shumë dëshirë që diskutimi në Kuvend të normalizohet”, ka thënë ai.

Ndërkaq për zvogëlimin e numrit të ministrive, ai thotë se nuk e din çka do të zvogëlohet.

“Ndoshta do të kursehen 1 milion euro. Unë po pres transformim, një subjekt i majtë nuk e ka fetish numrin e ministrave por punën e qeverisë. Ky është mesazh i fortë”, ka thënë ai.

23:59

Sejdiu flet për bashkëpunimin me AAK-në

Ish-shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, i është rikthyer diskutimit për koalicionin parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të Ramush Haradinajt.

Ka thënë se në njëfarë mënyre PSD-ja e ka pasur si opsion të vetëm bashkëpunimin.

“Ne nuk kemi qenë tërësisht gati me strukturë. Kemi pasur një matje që ka treguar se potenciali jonë është që të kishim një grup të mirë parlamentar. Meqë kishim vetëm 14-15 degë, e dinim që nuk do të mundë të arrinim të tërhiqnim këtë potencial”, ka thënë Sejdiu, në Interaktiv të KTV-së.

“Duke pasur parasysh bashkëpunimin për shumë tema me AAK-në ishte pak më e natyrshme që të bashkëpunim me të, megjithëse kishim dallime të mëdha koncpetuale”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se ideja e tyre për koalicion ishte që aty të futeshin edhe Nisma Socialdemokrate dhe AKR-ja.

Sa i përket zgjedhjeve, Sejdiu ka thënë se Kosova ka dhënë shembull. Por procesi i rinumërimit i ka dhënë një tjetër shije.

“Sot jemi më 7 nëntor, dhe na u desh një muaj me numëru e rinumëru. Si duket komisionerët kanë prekur nëpër vota. Unë nuk e di, meqë nuk kam qenë i përfshirë në këtë proces, por me gjasë ka pasur prekje të votave”, ka thënë Sejdiu, i cili megjithatë nuk ka shprehur dyshime të mëdha se ka pasur vjedhje të votave brenda koalicionit me AAK-në.

“Bashkëpunimi me Aleancën ka qenë në rregull, nuk kemi dyshime, por në zgjedhje natyrisht se ka pasur shpërndarje të listave dhe emrave të disa kandidatëve të caktuar. I kam parë se në rinumërim, në shumë raste kandidatëve të PSD-së u janë shtuar vota, pra janë përmirësuar. Por kjo nuk është më çështja, rezultati është ky që është”, ka thënë ai.

Kur ka folur për mundësinë e qeverisjes mes LVV-së dhe LDK-së, Sejdiu ka thënë se është mirë që kanë numra të mjaftueshëm për shumicë të thjeshtë, meqë e para ka marrë 32 e e dyta 29 deputetë.

“Është mirë që të merren vesh, kanë mjaftueshëm numra. Munden vetë me qeverisë, që është lajm i mirë”, ka thënë Sejdiu.

“Më ka befasuar edhe z. Veseli, që menjëherë atë natë e pranoi rezultatin, dhe ky transicion, nëse shkon gjithçka në rregull deri në fund, është lajm i mirë”, ka thënë ai.

23:50

Sejdiu numëron arsyet që sipas tij çuan në humbjen e PSD-së

Dardan Sejdiu nga PSD-ja ka numëruar disa arsye që, sipas tij, çuan në dështimin e kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, në koalicion me AAK-në.

Nga 12 deputetë sa ishin në fund të legjislaturës së shkuar, PSD-ja ka vetëm një deputete në legjislaturën e re.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se arsye e parë ishte “mënyra se si kishin dalë nga Vetëvendosje”.

“Mënyra se si dolëm nga Vetëvendosje, ishte se pranuam barrën e tradhtarit dhe atyre që po shkatërrojmë gjithçka, që për mua është e pavërtetë, por që njerëzit e lexuan kështu. Kjo edhe me fajin tonë, me mënyrën si kemi reaguar”, ka thënë ai për “sfidën e parë që s’e kanë menaxhuar mirë”.

Sipas Sejdiut, arsyeja tjetër që çoi në dështimin e PSD-së ishte edhe “ndihma në zhbllokimin e animozitetit të madh në dialogun mes pozitës e opozitës”.

Ai ka thënë se tash “kandidati i VV-së për kryeminstër, Albin Kurti, po e thotë atë që kemi thënë në maj të vitit 2018, që të gjithë të jemi në dialog, por në atë kohë na thoshin jeni argatë të Thaçit”.

Si arsye tjetër, Sejdiu ka thënë se “vota për buxhetin ishte me rëndësi për ne, por për publikun ishte vazhdim i pushtetit të keq”.

Sipas tij, po të mos ishte PSD-ja në mandatin e fundit, Lista Serbe do të ishte në qeveri edhe 12 muaj.

Sejdiu ka thënë po ashtu se edhe bashkëpunimi me AAK-në duket të ketë qenë jo i duhuri në sytë e publikut. Sipas tij, kjo për shkak të dallimeve që ishin mes këtyre partive.

Për ata që thonë se largimi na Vetëvendosje çoi në dështim të PSD-së dhe anëtarëve të saj, Sejdiu ka thënë se “leximi i njerëzve është e thjeshtë, ata që thonë është konfirmuar mund të kenë të drejtë”.

Megjithatë, ai ka shtuar se nuk ndërron mendje për largimin nga VV-ja.

“Për mua s’ishte gabim largimi. Jam i të njëjtit mendim. Kur kam dhënë dorëheqje ishte për bindjet e mija, që janë në një vlerë të një demokracie liberale. Besoj në të. Andaj s’qëndroj në asnjë subjekt ku këto vlera reduktohen në procedurë. Foleja ime e parë ishte FER-i. Kështu që foleja e vjetër është FER-i. Folenë tjetër e çmoj. E vlerësoj që ka plot që më shkruajnë edhe individualisht (nga VV-ja), por vendimin e kam marrë. Besoj në koncept tjetër. Është çadër e madhe e s’ndihem rehat. Prandaj kam dalë”, ka deklaruar më tej ai.

Sejdiu në legjislaturën e shkuar kishte hyrë me 39 mijë vota, ndërsa tash ka marrë më shumë se 4600.

23:40

Sejdiu thotë se dorëheqja e tij erdhi nga përgjegjësia pas rezultatit të 6 tetorit

Ish-anëtari i Kryesisë dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate tashmë i dorëhequr, Dardan Sejdiu, ka thënë se dorëheqja e tij nga të gjitha strukturat e partisë ka ardhur pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas tij, duke qenë në strukturat udhëheqëse, ai ka vendosur të marrë përgjegjësi për dështimet e partisë, duke dhënë dorëheqje, duke shtuar se “edhe në humbje duhet të merret përgjegjësi”.

Duke folur për dorëheqjen e tij, ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se momentalisht ky është vetëm vendim individual.

“Unë besoj që edhe si shef i grupit parlamentar kam një përgjegjësi pasi qytetarët kanë vlerësuar se nuk duhet të jemi në parlament”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për rezultatin e partisë në zgjedhjet e 6 tetorit, Sejdiu ka thënë se politikë e PSD-së nuk ishte të qëndronin gjithmonë pole të kundërta me pozitën.

“Ndodhi një fitore e subjekteve që kanë qenë pole të kundërta me Qeverinë, ndërsa ne në PSD kemi menduar se nuk duhet të jemi gjithmonë pole të kundërta. Nga qytetarët kjo nuk u lexua kështu, prandaj edhe ndodhi rezultati”, ka thënë ai.

Nëse shihet në aspektin empirik, Sejdiu thotë se dy partitë opozitare nuk kanë sjellë asnjë ligj në Kuvend duke potencuar se opozitë nuk do të thotë vetëm të rrish pa bërë asgjë.

Ai tutje shton se është krenar për punën qe ka bërë.

“Unë Kuvendin e shoh si një arenë ku secili deputetë duhet të jap një kontribut për politikën që ai përfaqëson. Unë mendoj që është koha me normalizu politikën. Unë kam vendosure që nga sot që punën time në politik ta bëjë nga një kënd i vlerave socialdemokrate dhe jo nga vija e parë e politikës. Nuk do të jem në domenin publik. Unë kam një lidhje goxha të fortë me Prishtinën dhe ndihem mirë kur punoj për Prishtinën. Nëse Ahmeti e sheh që jam i nevojshëm për të punuar për Prishtinën, jo nga këndi publik, do ta bëjë me kënaqësi”, ka thënë ai duke shtuar se do të kthehet në sektorin e financave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme