LDK-ja mblodhi Kryesinë, aty u diskutuan tri pika Foto: Koha/Ilustrim

Mustafa: Me VV-në do të dakordohemi se kujt i takon presidenti, propozimi kur të vjen koha

08 November 2019 13:51
18:39

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kreu i kësaj partie tha se janë disa pika për të cilat nuk ka pajtueshmëri të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje. Në bisedimet që kanë me këtë parti për harmonizim të programit për një koalicion të mundshme qeverisës, Isa Mustafa tha se kanë diskutuar se cilës parti i takon propozimi për postin e presidentit, megjithatë nuk është në agjendë aktuale.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës para mediave, tha se kryesia ka vlerësuar që grupi punues ka bërë një punë të mirë, por ai ka deklaruar se janë disa çështje të ekonomisë dhe për çështjet sociale, për të cilat nuk kanë arritur pajtueshmëri të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa tha se në diskutimet aktuale me LVV-në do të dakordohen se kujt i takon të propozojë kandidatin për president, por i njëjti nuk do të propozohet tash por kur të vjen koha.

“Unë po shoh që po bëhet zhurmë në media për punën e presidentit, nuk e kemi rend dite çështjen e zgjedhjes së presidentit, ne e kemi rend dite çështjen zgjedhjes së qeverisë edhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ne po ashtu konsiderojmë se të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe katër vjeçare në zgjedhje në Kuvend dhe Qeveri duhet të diskutohen mes partnerëve, dhe sigurisht diskutohet edhe çështja e presidentit. Por, në asnjë rast publikisht nuk jam shprehur e as nuk kam kërkuar të jem president i Kosovës, tjerët kanë filluar ta bëjnë këtë punë temë. Sepse për këtë do të vendos partia që i takon ta propozojë presidentin e ardhshëm të Kosovës. Ai propozim nuk do të bëhet tani do të bëhet në momentin kur shpallen zgjedhjet për president”, u shpreh ai.

Në konferencë, kreu i LDK-së foli edhe për zgjedhjen deputet të ish spiunit të BIA-së serbe nga Lista Serbe, Branislav Nikoliq.

“Ne me keqardhje e kemi marrë këtë informatë që dikush që konsiderohet se ka qenë punëtor i BIA-s serbe të vijë të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, por nuk është në fuqinë ose në vullnetin e LDK-së, me qenë në vullnetin tonë kjo nuk do të kishte ndodhë, mirëpo ligji dhe kushtetuta duhet të veprojë ashtu siç vepron ligji ashtu do të veprojmë edhe ne”, ka thënë Mustafa.

14:52

Mustafa: Me LVV-në kemi shumë përafrim, në çështjet sociale e ekonomike dallojmë pak

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bashkë me Kryesinë e LDK-së, ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë.

Mustafa, në këtë mbledhje ka thënë se kanë përafrim me Vetëvendosjen, por janë disa fusha që kanë dallim. Ai tha se dalllojnë pak në çështjet ekonomike e sociale, transmeton Koha.net.

Por, Mustafa ka thënë se sot s’do të diskutojnë lidhur me ndarjen e ministrive.

Mustafa, tha se në mbledhje u informuan nga grupi punues i LDK-së lidhur me rrjedhën e dialogut e gjithçka tjetër me Vetëvendosjen, për të arritur harmonizimin.

“Ekipi ynë bëri punë të mrekullueshme, nën harmonizim me LVV-në. Është arritur mjaft shumë harmonizim, në aspektin ekonomik, arsimit, shëndetësisë, sundimit të ligjit, sigurisë dhe pjesën sociale, që u diskutua dje. Janë arritur pajtime të nivelit të kënaqshëm edhe të organizimit të Qeverisë, dhe si do të funksionojnë edhe ministritë e ardhshme. Qeveria e ardhshme do të jetë më efektive dhe më ekonomike. S’kemi nevojë të merremi me çështje që s’pajtohemi, edhe pse janë shumë të pakta”, tha Mustafa.

Pas certifikimit të rezultateve, tha ai, “do të zhvillojmë takime edhe në nivelin e lartë”.

“Do të harmonizohen edhe në çështje tjera, që lidhen me dialogun me Serbinë, me funksionim kushtetues e ndarjes së përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme.

Sipas Mustafës, LVV-LDK do t’i përmbahen të gjitha parimeve.

Mustafa tha se janë disa çështje të ekonomisë, me të cilat me LVV-në s’kanë shumë përafrim, dhe në çështjet sociale.

“Tek çështjet sociale ka pak dallime, që më shumë kanë të bëjnë me konceptin tonë”, tha Mustafa.

Mustafa, edhe njëherë tha se LDK-ja e ka pranuar që kryeministri i takon partisë e cila ka dalë e para në zgjedhje, në këtë rast LVV-së.

Sa i përket taksës, tha Mustafa, “bashkë me LVV do të aplikojmë reciprocitetin”.

“Nuk është çështje e lehtë që bëhet për një ditë, Por reciprociteti do të jetë më e mirë sesa taksa. Do të sillemi njëjtë sikur ata që sillen me ne”, tha ai.

Image
13:51

LDK-ja mblodhi Kryesinë, aty u diskutuan tri pika

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, e cila udhëhiqej nga kryetari Isa Mustafa.

Sipas njoftimit për media, në Kryesi u diskutuan tri pika të rendit të ditës. Një ndër to është edhe informimi mbi ecurinë e bisedave me Lëvizjen Vetëvendosje, me partinë të cilën dje janë përmbyllur ciklet e takimeve të përbashkëta për një koalicion të mundshëm.

Dy partitë që dolën të parat, Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë tashmë kanë mbajtur gjashtë takime për të përafruar programin qeverisës të udhëhequr nga këto dy subjekte politike.

Ndërsa mbrëmë ka qenë takimi i fundit i cili është mbajtur, dhe në takim është diskutuar për pjesën programore të marrëveshjes. Takimet e radhës, u njoftuan se do të jenë në nivel liderësh.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, pritet të ketë deklaratë për media për të mësuar më shumë rreth takimit. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme