Pacolli: Nuk besoj se do të jem pjesë e qeverisë VV-LDK Foto: AKR

Pacolli: Nuk besoj se do të jem pjesë e qeverisë VV-LDK

20 November 2019 21:59

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk beson që mund të jetë pjesë e qeverisë së re, e cila mund të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë me asnjë lider partiak nuk kam pasur raporte të këqija, po ashtu edhe për zotin Kurti kam respekt. Por sa i përket bashkëpunimit politik, nuk jam i sigurt se do të ndodhë. Unë besoj që LDK dhe Vetëvendosje kanë mjaft numra e partnerë për të qeverisur. Ashtu si e shoh unë, AKR-ja bashkë me NISMA-n do të mbesim në opozitë”, ka thënë Pacolli në televizionin publik.

“Nuk kam pasur ofertë dhe nuk pres të kem, por sidoqoftë jam aty”.

Pacolli ka thënë se verdikti i qytetarëve duhet të respektohet.

“Kam qenë pjesë e qeverisë dhe unë e shoh një ndëshkim nga qytetarët për qeverinë e kaluar. Kam qenë pjesë e saj dhe ky ndëshkim më ka konsideruar edhe mua. Është e vështirë të them ‘po, do të jem pjesë e qeverisë’. Nëse qytetari ka vendosë ndryshe, duhet ta kuptojmë qytetarin dhe të jemi në opozitë dhe nga aty të kontribuojmë”, ka thënë Pacolli.

Ai e sheh të vështirë bashkëjetesën me partinë NISMA Socialdemokrate.

“Ideologikisht me NISMA-n jemi ndryshe, njëra e majtë e tjetra e djathtë, do të ishte e vështirë që të bashkëjetojnë”, ka thënë Pacolli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme