KQZ: Procesi i rinumërimit përfundon të dielën Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Rinumërohen mbi 73 për qind e vendvotimeve

21 November 2019 16:20
17:49

Vetëm deri në orën 16:00 të ditës së sotme, janë rinumëruar 65 vendvotime.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është 1 034 apo 73.49%.

“Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.

16:20

KQZ: Procesi i rinumërimit përfundon të dielën

Rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve pritet të përfundoj të dielën.

Kështu ka bërë të ditur për Koha.net zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai ka thënë se rinumërimi ka qenë i planifikuar të përfundoj të hënën, derisa shton se gjasat janë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi.

“Po besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces dhe sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune është 130 vendvotime.

“Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën. Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme