13:18

Përfundon rinumërimi i 1407 vendvotimeve, rezultati final më së largu deri nesër

Ka përfunduar rinumërimi i 1407 vendvotimeve. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi KQZ Valmir Elezi. 

Ai tutje ka thënë se para certifikimit të zgjedhjeve do të marrin konfirmim nga PZAP dhe Gjykata Supreme.

“Tash ka përfunduar rinumërimi i 1407 vendvotimeve. Falënderojmë të gjithë zyrtarët e numërimit që me përkushtim kanë punuar në përmbylljen e këtij procesi. Sot është dita e 12 e rinumërimit që nga vendimi i PZAP-it. Para se KQZ të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, merr konfirmimin nga PZAP dhe Gjykata Supreme që nuk ka ndonjë çështje që është në shqyrtim. Rezultatet pas këtij procesi do të publikohen në web-faqen e KQZ-së”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Ai tutje ka shtuar se deri nesër do të mund të bëhen publike rezultatet e këtij rinumërimi.

Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit.

12:13

Elezi thotë se procesi i rinumërimit të 1407 vendvotime është pothuajse në fund

Procesi i rinumërimit të mbi 1400 votave është pothuajse në përfundim. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai për KTV-në ka thënë se për momentin janë duke u rinumëruar fletëvotimet e fundit.

“Procesi i rinumërimit i cili ka filluar më 13 nëntor shumë shpejt do të përmbyllet pasi që kutitë e fundit janë duke u rinumëruar. Në total sipas PZAP kanë qenë 1407 vendvotime që është dashur të rinumërohen. Kanë qenë 130 vendvotime që janë rinumëruar gjatë një dite pune nga ora 08:00 në mëngjes e deri në mesnatë.

Sipas Elezit, në QNE është punuar me dy ndërrime, derisa ka theksuar se në një ndërrim janë rinumëruar 25 mijë vendvotime

“25 mijë vendvotime janë numëruar nga një ndërrim. Më shumë se 500 mijë vendvotime janë rinumëruar gjatë kësaj jave”, ka thënë.

Ai tutje ka shtuar se certifikimi i zgjedhjeve do të ndodhë nëse nuk ka ankesa në PZAP brenda 24 orëve, pasi kryhet rinumërimi.

09:07

Mbesin edhe 37 vendvotime për t’u rinumëruar

Vetëm edhe 37 vendvotime kanë mbetur për t’u rinumëruar nga 1407 sa ishin gjithsej.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tutje ka shtuar se procesi i rinumërimit do të përfundoj sot gjatë ditës.

“Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotime sipas vendimit të PZAP-it do të përfundoj sot (e diele). Janë vetëm edhe 37 vendvotime që do të rinumërohen sot”, ka thënë ai.

Kujtojmë se sot janë bërë 11 ditë që kur ka filluar ky proces.

08:39

Sot pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të mbi 1,400 vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet të përfundojë sot procesi i rinumërimit të 1,407 vendvotimeve, të cilat hynë në rinumërim pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se ky proces do të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit. Mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, prej orës 08:00 deri në mesnatë, ishte rreth 130.

Ndërkaq dje është njoftuar se më 12 nëntor, në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora. Për këto, Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP, me pretendimin se edhe ato duhet të pranohen siç u pranuan edhe votat e mëparshme që erdhën me vonesë nga jashtë. Me vendim të Gjykatës Supreme, ato u pranuan dhe u numëruan.

PZAP-ja pritet që deri të hënën të vendos rreth këtyre votave para se të certifikohet rezultati final i zgjedhjeve që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.